Tre javë: kaq u desh që në Superiore të largohej trajneri i parë dhe bëhet fjalë për një vendim krejt të pakuptimtë, sepse Kamza ka larguar Bledar Devollin.
Është larguar një trajner pa nisur mirë shtatori, me vetëm pak javë përgatitje me ekipin, që këtë verë ka pësuar jo pak ndryshime, por që i mori 3 pikë në ndeshjen hapëse ndaj Tiranës, u mund në mënyrë krejt të pafat nga Partizani dhe sërish luajti mjaft mirë në Durrës, por u mposht në fund.
Arsyet e largimit i dinë vetëm drejtuesit e Kamzës, por me siguri nuk kanë të bëjnë me rezultatet, sepse do të ishte absurde të përdoret ky justifikim. Nëse kishte kandidat që duhej shkarkuar me ceremoni, të paktën duke e parë nga jashtë dhe duke i hedhur një sy renditjes, ai është trajneri i Luftëtarit, Milosh Kostiç, i cili nëse do të jetë në stol javën e ardhshme kundër Vorës në kupë, do të lutet që të marrë fitoren e parë në Shqipëri, pas 3 muajsh punë.
Po ashtu, Ze Maria te Tirana është me të drejtë në fije të perit dhe e ka pranuar se ndeshja e ardhshme është vendimtare për të. Bëhet fjalë për Tiranën, ka emër të rëndë dhe vetëm një pikë, por me sa duket kontrata e trajnerëve të huaj është e mbrojtur me “tel me gjemba”, ajo e Devollit me shokë griset e hidhet në plehra për 5 minuta, aq sa zgjatin zakonisht nervat e presidentëve/donatorëve/administratorëve.
Kamza ka një ekip të mirë, por të punuarit në këtë mënyrë do ta marrë në qafë. Vjet shpëtoi me shumë vuajtje në fund të sezonit, pati nevojë edhe për një dhuratë nga Partizani, sinjal që largimi i Ramadan Ndreut ishte një gabim, ashtu si ishte gabim më vete largimi i Ahmatajt, apo firma e pahedhur me Vierkovudin në qershor.
Profesionistët te Kamza nuk mungojnë, por nëse pastaj gjërat bëhen në varësi të 5-minutëshit të atij që hedh paratë, gjithçka është në qorrsokak dhe së shpejti Kamza, por edhe shumica e klubeve shqiptare, do të korrin atë që kanë mbjellë, sepse dukuria nuk kufizohet te Superiorja. Po të zbresësh më poshtë, trajnerët punojnë për qejf, duke e ditur se kontrata e tyre mund të zgjatë nga një javë deri në një sezon, ndërsa shpesh skuadrën e bëjnë të tjerët dhe objektivat dihen: kampionat, kupë, ngjitje në Superiore, ngjitje në Kategorinë e Parë, sukses me çdo kusht!