Tirana e ka fituar ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë me Flamurtarin. Rezultati 2-0 bën që bardheblutë të jenë favoritë, por asgjë nuk është mbyllur. Kryeqytetasit e dinë shumë mirë diçka të tillë dhe nuk po e marrin aspak lehtë.
Madje për trajnerin Ardian Mema edhe ka probleme para ndeshjes dhe kjo për shkak të dëmtimeve që ka në skuadër. Me Dorian Kërçikun nuk mund të rrezikohet. Mbrojtësi i djathtë ka pësuar një tërheqje para takimit me Kamzën dhe duke pasur edhe Dokën në dispozicion, edhe këtë ndeshje mund të kursehet.
Me shumë mundësi edhe me Turtullin do të ndodhë e njëjta gjë. Në fundjavë Tiranën e pret një ndeshje e vështirë dhe do të duhet që Mema ta ketë sa më të plotë skuadrën. Stafi mjekësor po bën maksimumin që ndaj verilindorëve të rikuperojë Edon Hasanin.
Mesfushori shkodran u dëmtua me Kamzën dhe goditja e marrë nuk ka qenë e lehtë. Stafi mjekësor i dha 10 ditë pushim dhe gjatë këtyre ditëve do të shihet me kujdes gjendja e tij. Dëshira e mesfushorit është e madhe që të jetë në fushë të dielën kundër Kukësit.