Milani po përjeton një periudhë shumë të vështirë, sa i përket kontingjentit të lojtarëve. Kuqezinjtë janë “mallkuar” nga dëmtimet, ndërsa Gatuzos do i duhet të bëjë për një farë kohe pa më shumë se gjysmën e titullarëve.
Fatmirësisht merkato e janarit është afër dhe Leonardo po bën maksimumin për të përforcuar ekipin. Ditën e djeshme u fol për një interesim për Çesk Fabregas. Spanjolli është një dëshirë e vjetër e Milanit dhe mund të ishte një përforcim fantastik në mesfushë. Kualitet dhe eksperiencë.
Synimi kryesor mbetet Zllatan Ibrahimoviç dhe Leonardo ka nisur bisedimet me Mino Rajolën, menaxherin e suedezit. Milani ka qenë një nga klubet ku Ibra ka kaluar gjithmonë mirë dhe ai nuk e ka fshehur një gjë të tillë. Lojtari i Los Anxhelos Galaksi po tundohet të rikthehet në Milanelo dhe palët janë afër marrëveshjes. Ibra pritet të vijë në janar, ku do të firmosë për gjashtë muaj me një rrogë prej 2 milionë eurosh dhe me të drejtën e rinovimit për sezonin e ardhshëm.
Një tjetër emër ka dalë në sfond për mesfushën e Milanit. Siç citon “AS”, bëhet fjalë për Arturo Vidal, i cili është pranë largimit nga Barcelona. Kileni nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin Valverde dhe nuk po aktivizohet shumë. Zgjidhja? Mesfushori ka nevojë për minuta, ndërsa Milani ka nevojë për një lojtar si ai.