Miratohet projektligji, lojërat e fatit monopol shtetëror

0

Qeveria nuk ndalet, pasi projektligji për mbylljen e Kazinove dhe Basteve Sportive ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Aty është miratuar gjithçka dhe tashmë lojërat e fatit pritet të jenë një monopol shtetëror. Ligji i ri i kalon për votim në parlament të enjten dhe zbatimi i tij nis prej 1 janarit 2019.

Gjatë diskutimeve në mbledhjen e bërë sot, kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, u shpreh se ka pasur edhe kërcënime për deputetët për këtë ligj. “Kam dëgjuar lloj-lloj arsyetimesh këto dy javë, por edhe që nuk e bëjnë dhe nuk e votojnë. Por amendamentet që miratojnë sot i japin fund përfundimisht aktivitetit të basteve, lojërave elektronike në distancë. Ja kemi dalë që pas ditës së enjte t’i japim fund këtij aktiviteti”.

“Më pas të luftojmë për zbatimin e ligjit dhe fenomenet që mund ta pasojnë këtë, që shkon deri në ndëshkim me burg. Lojërat e fatit kanë sjellë shumë probleme sociale. Në dy javët e fundit deputetet kanë marrë presione kriminale. Po mbyllet gjithçka, nga kazinotë elektronike, bastet, sallat e bingove, online dhe gjithçka tjetër”.

MINISTRI ARBEN AHMETAJ – “Pas datës 31 dhjetor asnjë subjekt nuk mund të vendos kazino apo lojëra. Lotaria Kombëtare ka një pretendim se i lejohet të vendoste lart e poshtë lojëra, por nuk ka të drejtë, zero! Industria do të krijojë një diferencë në të ardhurat, por për ne nuk ka pikë rëndësie. Ne po e sfidojmë administratën tatimore, t’i mbledhin në terren. Kjo është një sfidë për të mbajtur një trajektore të ekonomisë. Kjo qeveri sot konsolidon qëndrimin sa i përket lojërave të fatit”

“Janë bërë 10 mijë trajnime profesionale. Vitin tjetër do të jetë dyfishi, deri në 20 mijë. Do të ketë mundësi  për punësim për pjesën që do të dalë pa punë nga sallat e bingove dhe kazinotë. Një pjesë e këtyre kanë aftësi kompjuterike dhe me pak trajnime do të gjejnë punë në zgjerimin ekonomik në shumë sektorë.

REAGIMI I OPOZITËS – Projektligji për mbylljen e Kazinove dhe Basteve Sportive u kalua në komisionin e Ekonomisë vetëm nga përfaqësuesit e pozitës, ndërkohë që opozita ka reaguar përmes një deklarate të bërë nga Jorida Tabaku.

“Ata që sot flasin kundër basteve sportive dhe kazinove janë kumarxhinjtë e politikës që fatin e tyre e kanë vendosur në rulotën politike: Ata sollën në vitin 2015 një ligj klientelist, që e ndryshuan në seancën parlamentare për të përmbushur qokat e tyre elektorale. Janë ata që përmes një aksioni fasadë “Fundi Marrëzisë” prodhuan marrëzinë e basteve pafund. Janë të njëjtë me mazhorancës që nuk solli asnjë akt nënligjor për ligjin që miratoi.

Janë të njëjtë me mazhorancën dhe kryeministrin që votuan shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit të Lojërave të Fatit që vetë votuan. Nën këtë kryeministër u dhjetëfishuan pikat e basteve në kundërshtim me çdo normë ligjore. Nën këtë mazhorancë u dha me koncesion te kompania e lidhur me vëllain e kryeministrit Sistemi i Monitorimit Online të cilin po e shfrytëzon për të vjelur paratë publike. Nën këtë mazhorancë për një muaj rresht shqiptarët u bombarduan me publicitetin edhe promocionin e lojërave të fatit edhe në TVSH që paguhet me taksat e shqiptarëve. Prandaj kjo mazhorancë është e fundit që i takon të flasë me Bibël dhe Kuran për lojërat e fatit.

Nëse sot kryeministri ankohet për mesazhet që i vijnë nga burgjet, atëherë ai dëshmon se është peng jo i vesit të basteve, por i vesit të të qenurit pjesë e të inkriminuarve. Faktet thërrasin fort përfshirjen e mazhorancës në një tjetër grup të inkriminuar që sot për sot kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit. Lejet e ndërtimit, ligji i ri me emrin “Bast Arena” dhe promovimi i kryeministrit janë shenjat e qarta të qelisë prej nga ku mazhoranca porosit ligjet”.

ZERO BASHKËPUNIM – Një ditë më parë, Shoqata e Basteve Sportive doli me një deklaratë dhe kërkoi bisedime me qeverinë. Ata bënë propozimet e tyre publikisht, por qeveria sa duket nuk dëshiron të ulet në tavolinë dhe të bisedoje për diçka të tillë.

Ata i mëshojnë idesë së tyre se po luftojnë një plagë sociale, ndërkohë që për efektin zinxhir që do të shkaktojë në ekonomi nuk është se shqetësohen shumë. Thuhet se do të ketë trajnime për ata që dalin të papunë, por nuk flitet aspak se çfarë ndodh me atë që përfitojnë nga qeratë, kontratat që këto kompani kanë me shoqëritë pritave të sigurimit, kontratat e internetit e të tjera.  Kreu i Shoqatës së Basteve Sportive, Artan Shyti, paralajmëroi një ditë më parë se do të jenë të detyruar që ta ndjekin këtë çështje ligjërisht.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.