Është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar, por Juventusi tërhiqet momentalisht nga Milinkoviç-Saviç, i cili kërkohet edhe nga Real Madrid, Mançester Junajtid dhe PSG. Bardhezinjtë janë lodhur nga ankandi që po bëjnë lacialët. Klaudio Lotito është nga ata presidentë me të cilët është e vështirë të bësh “pazar”. Plot 150 milionë euro kërkon për mesfushorin serb, një shifër shumë e lartë. Bardhezinjtë në këtë pikë nuk kanë ndërmend të bëhen pjesë e një ankandi.
Gjithashtu ekipin e kanë të fortë, ndaj edhe tani po shohin mundësinë për të bërë ndonjë lëvizje në dalje dhe janë disa lojtarët që mund të shiten. Bentakur, Markizio dhe Sturaro janë lojtarët që mund të largohen nga mesfushorët dhe prej tyre mund të vijnë të ardhura të rëndësishme.
Objektivi mbetet Rabiot i PSG-së, i cili nuk ka rinovuar me francezët dhe rikthehet të jetë një nga dëshirat e merkatos së bardhezinjve. Me të në mesfushë, por edhe me prurjen Emre Çan, si dhe me Pjaniç, Kedira dhe Matuidi, skuadra torineze do të kishte një mesfushë mjaft të fortë. Gjithsesi te Juventusi është koha për të bërë para, sikurse shkruan “Corriere Dello Sport”.