Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kalimit të Kristof Piatek te Milani. Takimi final do të mbahet të hënën pas ndeshjes Xhenoa-Milan, ndërsa zyrtarizimi i polakut si “Djall” do të ndodhë të martën.
Marrëveshja është arritur dhe Enriko Preciozi, presidenti i Xhenoas, ka dhënë miratimin për këtë transferim. Leonardo ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe, ndërsa ka marrë dhe konfirmimin e pronarëve të kuqezinjve; më shumë në aspektin financiar dhe rregullave të FPF (fair-play financiar), pasi kualiteti i Piatek nuk vihet në dyshim.
Mediat italiane bëjnë të sigurt akordin e arritur, ndërsa Andrea Bertolaçi do të përfshihet në marrëveshjen për kalimin e autorit të 13 golave në kampionat me ekipin e Gatuzos. Marrëveshja është arritur për një huazim me të drejtë blerje për shumën e 40 milionë eurove (do të paguhet në disa këste), por përfshirja e mesfushorit mund të bëjë që Milani të paguajë më pak në verë për sulmuesin 23-vjeçar.