Milani do të luajë nesër në darkë kundër Lacios për një vend në finalen e Kupës së Italisë. Ndeshja e parë gjysmëfinale në “Olimpico” ka përfunduar pa gola, ndërsa të dy ekipet do të tentojnë kualifikimin.
Lajm i mirë për trajnerin dhe tifozët është fakti që Lukas Paketa e ka lënë pas krahëve dëmtimin. Braziliani u ndal në barazimin e 2 prillit kundër Udinezes. U fol për një qëndrim jashtë prej 20-40 ditësh, por 21-vjeçari punoi fort dhe u rikuperua më shpejt.
Në fundjavë ishte në pankinë kundër Parmës, por nuk ishte gati për lojë dhe Gatuzo nuk e rrezikoi. Lojtari ofensiv do të zhvillojë disa minuta kundër Lacios dhe do ta nisë si titullar në fundjavë.
Transferta kundër Torinos është deçizive për Milanin. Fitorja është alternativa e vetme për të siguruar vendin e katërt dhe me Paketën në fushë, gjërat thjeshtësohen më shumë.