Milani është në kërkim të disa lojtarëve, por objektivi kryesor mbetet një mesfushor. Kuqezinjtë e kanë të qartë dëshirën e tyre dhe ai është Çesk Fabregas. Pasi kryen disa kontakte telefonike në ditët e para të nëntorit, drejtuesit e “Djallit” janë gati të rinisin negociatat.
Gjithçka do të ndodhë në këto ditë dhe Leonardo do të nisë sulmin për transferimin e spanjollit në Milanelo. Marrëdhëniet mes dy klubeve janë shumë të mira dhe një gjë e tillë u vu re në marrëveshjen për huazimin e Bakajokos tek ekipi i Gatuzos.
Një tjetër detaj që ndihmon realizimin e marrëveshjes me Fabregas është dhe fakti që mesfushorit i skadon kontrata me Çelsin në verë. Ai do e mirëpriste një kalim eksperiencë në Itali, që më tepër te Milani, që ka një “fiksim” shumë-vjeçar me të, që nga koha kur ishte pjesë e Arsenalit.
Ekziston vetëm një problem të vogël dhe ai quhet Mauricio Sarri. Trajneri i “Bluve të Londrës”, nuk po e aktivizon shumë Fabregasin, por nuk dëshiron të heqë dorë nga shërbimet e tij. Deri në momentin kur klubi londinez të sigurojë një tjetër mesfushor, pasi italiani dëshiron një kontingjent të plotë.