Ekipet milaneze kishin kohë që nuk ishin protagonistë në kampionat. Interi arriti të rikthehej në Champions pas gjashtë vitesh mungesë, ndërkohë që e ka nisur shumë mirë sezonin e ri. Vendi i dytë në kampionat bashkë me Napolin dhe vendi i dytë i përkohshëm në Champions në një grup të komplikuar me Barcelonën, Totenhemin dhe PSV.
Nga ana tjetër, Milani kërkon rikthimin në Champions pas katër vitesh mungesë. Kuqezinjtë renditen në vendin e katërt për momentin dhe nëse e ruajnë këtë pozicion, do të rikthehen në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
Një detaj i veçantë zbulohet sa i përket të dy klubeve të Milanos. Nuk ndodhte që nga sezoni 2010-2011, që Inter dhe Milan të renditeshin në zonën Champions. Pas dhjetë javëve të para të atij sezoni, Milani renditej i dyti dhe Interi i treti. Në fund të sezonit, titulli fitohej nga Juventus, ndërsa në Champions shkonin Milani dhe Udineze, me Lacion, Napolin dhe Interin, që përfundonin në Europa League.