Milani do të përballet të dielën me Kaljarin në transfertë, ndërkohë që drejtuesit kuqezinj kanë piketuar një objektiv për merkaton. Është mesfushori i rivalit të kësaj fundjave: Niko Barela. Mesfushori 21-vjeçar luan sezonin e tretë në Serinë A dhe shikohet si një lojtar që mund të përshtatet shumë mirë me kuqezinjtë.
Të dielën në mbrëmje një sy do të jetë pikërisht te Barela, i cili sezonin e shkuar ka luajtur 34 ndeshje si titullar me Kaljarin. Ai ka treguar se edhe shënon një numër të lartë golash dhe gjashtë të tillë të realizuar vjet janë një fakt. Kujtojmë se po flasim për një mesfushor dhe jo sulmues.
Por ka një problem. Kaljari nuk dëshiron të shesë lojtarë në janar, ndërkohë që edhe çmimi fillestar për mesfushorin vlerësohet 40 milionë euro. Shuma është e lartë, duke ditur problemet që Milani ka. Gjithashtu po tentohet të arkëtohen të ardhura të rëndësishme nga reklamat, në mënyrë që të mos rrezikohet me “Fair Playn”-in financiar.
Nga ana tjetër edhe Interi ka kohë që e ndjek Barelën, por nuk është se ka nisur tratativat për ta afruar mesfushorin. Një derbi për lojtarin do të bënte që kjo pistë merkatoje të kthehej në një ankand dhe çmimi të rritej.