Milani pret të emërojë drejtorin e ri sportiv, që duket se do të jetë Frederik Massara (ish-Roma), por ndërkohë i duhet të lëvizë me shpejtësi në merkato, sepse nuk ka kryer asnjë blerje dhe janë larguar shumë lojtarë.
Sipas Gazzetta dello Sport, pronarët e klubit i kanë dhënë autorizim administratorit të deleguar Ivan Gazidis që të investojë 80 milionë euro për përforcimet, çfarëdo vendimi që të vijë nga UEFA në lidhje me pjesëmarrjen apo përjashtimin nga Europa League për shkeljen e rregullores së Fair Play Financiar për 3-vjeçarin 2015-18.
Një shifër e vogël për futbollin aktual, ku lojtarët cilësorë kushtojnë nga 50-60 milionë euro e lart, ndaj Paolo Maldini dhe drejtuesit e rinj do duhet të bëjnë “cirk”. Mesfushori i Italisë Barela kushton 45-50 milionë euro, Sensi i Sassuolos rreth 25 milionë, ndërkohë që duhen përforcime edhe në mbrojtje e sulm.
Shpresa e vetme e Milanit është që të shesë spanjollin Suso për të paktën 35 milionë euro, si dhe të vijë ndonjë ofertë e çmendur për portierin Donaruma, ndërkohë që emra si Laksalt, Kutrone, Borini e njëri mes Kesie e Çalhanoglu shpresohet të shiten.