Gentian Mezani është prezantuar si trajneri i ri i Luftëtarit. Tekniku vlonjat pason në këtë post sllovenin Milosh Kostiç, i cili në katër ndeshjet e para në Superiore nuk arriti të merrte qoftë edhe një pikë për skuadrën gjirokastrite. Mezani vlerësoi grupin e lojtarëve dhe u shpreh besimplotë se skuadra do të rikthehet te fitorja.
“Do doja të falënderoj presidentin dhe uroj që të shpërblej besimin. Uroj që të mos zhgënjej askënd. Do mundohemi që të bëjmë më të mirën këtë vit, për ta zgjidhur këtë situatë dhe për të arritur tek pikët dhe të jemi sa më lart në klasifikim”.
“Erdha me një dëshirë të madhe. Kam pasur dhe oferta të tjera. Më kanë folur mirë për ambientin dhe njerëzit. Do mundohem që të bëj më të mirën”.
“Më jep shpresë loja e djemve që në këto katër ndeshje kanë prodhuar futboll. Më jep besim puna ime dhe ajo që unë bëj mendoj se mund të bëj. Po ashtu dhe nga mbështetja e drejtueseve, që të jep qetësi dhe më shumë forcë për të punuar.”
“Në katër ndeshjet e para është një skuadër që ka zhvilluar futboll sulmues. I përshtatet mentaliteti tim dhe dëshirës sime. Shpresoj që ndeshjen e radhës të fitojmë, më pas do të shohim për mrekullitë. Në këtë pikë që jemi është shumë e rëndësishme që të marrim një fitore dhe të dalim nga kjo situatë ku jemi”.
Mbijetesa – “Nuk më pëlqen fjala mbijetesë,. Si te Laçi dhe Flamurtari i kam marrë skuadrat në të njëjtën situatë. Kanë kaluar vetëm 4 javë dhe kemi shumë ndeshje për të zhvilluar. Një fitore të ngjit disa vende. Skuadrat nuk kanë shumë diferenca. Duhet të bëjmë më të mirën. Objektivi im është që çdo ndeshje të marrim një rezultat pozitiv.”
Ndeshja – “Luajmë në fushën tonë. Humbja nuk do të jetë e mirëpritur. Çdo gjë duhet të jetë pozitive. Do të futemi për të fituar. Kam besim tek këta çuna. Janë siç kanë emrin: “Luftëtarë” do luftojmë për të marrë fitoren.”
Kundërshtari- “Teuta ka një skuadër shumë të mirë dhe një trajner që mendon për fazën ofensive. Në mbrojtje ka lojtarë me eksperiencë dhe ka siguri. Është një skuadër që vrapon dhe kërkon të sulmojë në çdo moment. Nuk duhet të neglizhohet. Teuta ka treguar se është një skuadër e mirë por jo që nuk mundet. Këdo skuadër që do kishim përballë do ta, mendonim si ndaj Teutës, pasi nuk duhet të neglizhojmë.”
“Ndihmësi im do të jetë i njëjti që ka qenë tek Laçi, Franko Paskualeti. Jemi në pritje të ardhjes së tij. Është një projekt afatgjatë me presidentin dhe çdo gjë do të duket në vazhdimësi.”
“Kemi një ndeshje shumë afër dhe është shumë pak për të ndryshuar. Është çështje psikologjike. Sot do ta shoh skuadrën për të parën herë dhe do punojmë në këto dy ditë nga ana psikologjike. Është e rëndësishme që të mos pësojmë gol, por rëndësi ka dhe ana ofensive, pasi skuadra që shënon fiton.”