Mesi, Mbape, Benzema? Jo, Kristof Piatek! Polaku i Xhenoas mbreti i golave në Europë!

0

Kristof Piatek u transferua gjatë kësaj vere nga ekipi i Krakovias për te Xhenoa në Serinë A. Sulmuesi polak e ka nisur në mënyrën e duhur aventurën në futbollin italian, madje duke i kaluar pritshmëritë. Ai shënoi në ndeshjen e fituar përballë Empolit, ndërsa në humbjen me Sasuolon 23-vjeçari shënoi një dygolësh, duke u ngjitur në krye të golashënuesve të Serisë A bashkë me Benasin e Fiorentinës me nga 3 gola.

Duke i shtuar dhe katër golat e shënuar përballë Leçes në ndeshjen e Kupës së Italisë me datë 11 gusht, Piatek është ngjitur në kuotën e shtatë golave të shënuar në tre ndeshje (Xhenoa ka për të zhvilluar dhe sfidën e shtyrë me Milanin). Polaku ka shënuar në tre ndeshje me shumë se çdo sulmues i Xhenoas gjatë sezonit të kaluar, duke parakaluar Lapadulën (6 gola), Pandev (5 gola) dhe Laksalt (4 gola).

Por, Piatek, i cili shënoi 32 gola me Krakovian në 63 ndeshje në elitën e futbollit polak, ka vendosur një rekord sa i përket pesë kampionateve kryesore në Europë. Për momentin, vetëm Sarabia i Seviljes ka shënuar shtatë gola, por sulmuesi spanjoll ka arritur atë shifër në 9 ndeshje të zhvilluara mes kampionatit, para eliminatoreve të Ligës së Europës dhe finales së Superkupës së Spanjës. Mbas tyre renditen emra të frikshëm si: Levandovski (6 gola), Benzema (5 gola), Aguero (5 gola), Mesi (5 gola) dhe Mbape (5 gola).

Është vetëm fillimi i sezonit dhe futbollistë të mëdhenj do të parakalojnë Piatek, por ai po shijon momentin e artë dhe Xhenoa është e lumtur për zgjedhjen e bërë për ti besuar majën e sulmit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.