Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu komentoi gjatë ditës së djeshme për shumë tema. Kreu i klubit katalanas u ndal dhe te rinovimi i Ivan Rakitiç, të cilit i përfundon kontrata me Barcelonën në verën e vitit 2021.
“Do të ulemi në tryezën e bisedimeve për të diskutuar rinovimin me Rakitiç në momentin që do të kemi mundësinë ekonomike për ta bërë një gjë të tillë. Për momentin nuk e kemi atë mundësi”, u shpreh Bartomeu. Fjalë të qarta dhe një sinjal që mesfushori kroat nuk është më në prioritetet e klubit.
Blerja e Frenki De Jong, interesimi për Adrien Rabiot dhe mungesa e rinovimit mund ta shtyjnë 30-vjeçarin të ndërrojë ambient. Për të ka interesim të madh, mbi të gjitha nga Interi. Zikaltrit kërkojnë një emër të madh për mesfushën, mbi të gjithë një lojtar plot personalitet dhe me mentalitet fituesit.
Rakitiç i ka këto cilësi, mjafton të shohësh karrierën dhe titujt e fituar. Ëndrrat kushtojnë dhe mbetet për t’u parë marrëveshja e klubit italian me Barcelonën. Klauzola e largimit të kroatit është 125 milionë euro, por Interit i duhet në fillim të bindë lojtarin për t’u transferuar në Serie A.