Merkato, e ardhmja e Ngo dhe finalja e Kupës
Trajneri i Tiranës Ardian Mema ishte i ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News24”, ku foli në lidhje sezonin që lamë pas të Superiores. Trajneri kryeqytetas u shpreh se ai po punon sëbashku me klubin për të afruar emra të rinj.
“Kam punuar shumë këto ditë. Sapo ka mbaruar finalja jam marrë me punën e merkatos. Fatmirësisht kemi njohje dhe emër si klub. Këtë e them pasi këtë punë është dhe çështje imazhi që futbollistët kanë për klubin”.
LOJTARËT NGA AFRIKA – “Do ketë përsëri lojtarë nga Afrika, por me një numër më të pakët. Ndoshta vetëm një ose dy, jo më shumë”.
IKJA NGA STADIUMI PAS FINALES SË KUPËS – “I kam kërkuar falje si fillim kundërshtarit, pasi ata janë shokët tanë. Unë Nestin (Ernest Gjoka) e njoh që fëmijë, i kërkoj falje dhe drejtuesve të Federatës. U mërzita shumë dhe mu rikthyen disa kujtime shumë të këqija. Çdo njeri ka një limit. Në atë ndeshje u bënë disa gabime në mbrojtje që më mërzitëm shumë”.
E ARDHMJA E NGO – “Ngo mund të ketë oferta nga Tirana, por edhe nga klube të tjera shqiptare ose angleze. Për të marrë përgjigje mbi këtë pyetje duhet të pyesni futbollistin”.
PARTIZANI – “I uroj gjithë të mirat në Kupat e Europës. Mendoj se Partizani ka pasur meritë të madhe në përzgjedhjen e futbollistëve dhe mënyrën e lojës. Sipas mendimit tim nuk qëndron ky argumenti se ata nuk kanë pasur konkurrencë”.
RAPORTI ME TIFOZËT – “Mendoj se Tiranës duhet t’i kthehet raporti i mirë me tifozët. E kam thënë përherë se tifozët e Tiranës duan rezultate. Natyrisht që ka pasur qejfmbetje, për shembull Tirana ka pesë vite që nuk fiton një derbi. Pesë vite janë shumë, nuk mund të pritet kaq shumë. Duhet medoemos që të rikthehemi me fitore në ndeshjen me Partizanin”.
TIRANA E ARDHSHME – “Besoj se do të jetë ekip që do të jetë në vendet e kreut”.