Marselo Bielsa është një nga trajnerët më të veçantë në qarkullim. Argjentinasi ka marrë përsipër detyrën për të rikthyer Lids Junajtid në Premier Ligë dhe deri tani po shkon gjithçka perfekt.
Ekipi i tij kryeson divizionin e dytë të futbollit anglez, ndërsa djemtë e tij siguruan dje një fitore të madhe kundër Aston Vilës në transfertë, duke rikthyer dizavantazhin e dy golave. Benxhamin Mendi luan sot me Mançester Sitin, ndërsa me Bielsën ka punuar tek Olimpiku i Marsejës.
Ai ka vetëm fjalë të mira për trajnerin e famshëm, ndërsa tregon dhe disa detaje interesante për të. Bielsa është një “maniak” i detajeve dhe nuk fal askënd që gabon.
“Marselo na ka përmirësuar shumë te Marseja, por e rëndësishme është dhe mënyra se si ai punon me stafin e tij. Nëse të thotë të vendosësh një kon 10 metra larg dhe ti e vendos 11, ekziston rreziku që të mos grumbullohesh për ndeshjen e radhës. E kam fjalën dhe për stafin, pasi dhe ata duhet të punojnë mirë gjatë javës për… t’u grumbulluar për ndeshje! Njësoj si futbollistët.”
“Ndeshja e parë me Bielsën ishte një miqësore. U paraqitëm në ndeshje me vetëm një doktor, pa zëvendës trajnerin, pa përgatitës dhe pa asgjë. Në pankinë nuk kishte mbetur askush që fliste frëngjisht, sepse askush nuk kishte punuar mjaftueshëm përpara ndeshjes. Por, ai e respekton futbollin njësoj si Guardiola. Ka një mënyrë të shkëlqyer për ta kuptuar atë. Më ka përmirësuar shumë dhe këshillat e tij janë të dobishme dhe tani për mua”, përfundon mbrojtësi i shpallur kampion bote me Francën gjatë kësaj verë në Rusi.