Trajneri i Tiranës, Ardian Mema ka qenë sot i pranishëm në konferencën e tij të zakonshme para ndeshjeve. Tirana do të bëjë llogaritë përballë Luftëtarit, një ndeshje që do të vendosë edhe fatet e sezonit për dy ekipet. Vetë Mema pranoi se kjo është një sfidë shumë delikate dhe Luftëtari është një skuadër shumë e fortë. Mes të tjerash, numri një i stolit të bardhebluve tha:
LUFTËTARI – “Gjatë javës kam folur me lojtarët. Kemi bërë mbledhje të shkurtra, sepse nuk doja që ekipi të kishte eufori pas ndeshjes me Kukësin. E kam konsideruar si një derbi, pasi duhet të fitojmë dhe të shkëputemi nga ajo zonë, që si të thuash na ka munduar shumë. Megjithatë kam parë ndeshjen e Luftëtarit me Flamurtarin dhe mendoj se është një ekip i fortë, me ekuilibër. Luajnë futboll të mirë. Ndeshja e nesërme ka problematikat e veta. Mendoj se do jetë shumë e fortë. Do fitojë ekipi që do jetë më i përqendruar dhe që do këmbëngulë më shumë në sulm”.
FITORJA DOMOSDOSHMËRI – “Kam dashur të mos i vë lojtarët në presion. Duhet të vazhdojmë me lojërat dhe nëse ndodh kështu, do kemi rezultate pozitive. Gjithsesi pa i vënë shumë në presion”.
SKUADRAT QË MBROHEN – “Këtë po thosha pak a shumë. Janë skuadër me ekuilibër dhe ngjeshën prapa. Këto skuadra nuk të lënë të luash me topin. Ekipi ynë ka treguar se lart luan mirë dhe krijon mundësi. Gjatë lojës do flasim edhe me lojtarët për mënyrën se si do të interpretohet loja”.
RËNDËSIA E NDESHJES – “Një ndeshje ka tre rezultate. E kemi marrë në konsideratë si ndeshje. Jemi pranë Luftëtarit, por nuk është përcaktuese. Është një ndeshje radhe që duhet ta fitojmë, por jo duke u vënë nën presion. Duke punuar dhe duke luajtur mirë mund të zgjidhet kjo ndeshje. Ky takim mund të menaxhohet, qoftë edhe 1-0. Kjo nuk ndan çfarë ndodh me ne. Kemi shumë ndeshje të tjera të forta. Duhet ta kontrollojmë këtë ndeshje”.
AHMATAJ – “Dje kam parë intervistën e Julit, ku thotë që jemi ekip i fortë. Kështu po them edhe unë për ata. Një trajner duhet ta shikojë kundërshtarin me të mirat dhe të këqijat. Kështu çdo ekip merr edhe masat. Ndoshta edhe Juli, për të cilin e kam respekt, do të jetë një nga trajnerët që do ecë dhe do të ketë karrierë të pasur”.
DEKLARATA E HALILIT – “Fitorja me Kukësin, vetëm një hap i vogël? Këtë e kam thënë edhe unë, jo vetëm presidenti. Ishte një fitore që i duhej Tiranës, pasi ishte ekipi i vendit të dytë javën e shkuar. Këto lloj ndeshjesh e ndihmojnë shumë ekipin, pasi ka përjetuar edhe një stres në të shkuarën. I jep skuadrës një moral tjetër për të menaxhuar veten dhe për të parë më sipër”.
RAPORTI ME TIFOZËT – “Tifozët e Tiranës janë nga ata që duan rezultat, nuk mund ta shohin Tiranën duke u përpëlitur në vendet e fundit. Kjo ka qenë që kur kam luajtur unë. Ata e duan në vendet e para. Mezi e presin një ditë të tillë. Më bëhet qejfi që janë kthyer në stadium dhe po vijnë edhe më shumë. Një nga forcat që ka ky klub është tifozeria. U kam bërë thirrje që të vijnë dhe ta përkrahin ekipin, sidomos për momentin që kemi kaluar. Do jenë një forcë më tepër. Ata të japin një lloj adrenaline që nuk përshkruhet me fjalë”.
SHTYRJA E NDESHJES – “Kur fiton i do ndeshjet shpejt e shpejt. Janë gjëra që ndodhin, është njëlloj për të dyja ekipet. Jemi gati për ndeshjen dhe mendoj se do e menaxhojmë si duhet”.
DOKA – “Me Kukësin, gjatë lojës pashë që po na sulmonin nga krahu i djathtë. Ndaj bëra një ndryshim në atë krah, ku të kishte njëfarë kundërvënie. Doli efikase, jo se shënoi golin. Kukësi në atë drejtim u bllokua dhe filluam edhe të sulmonim. Mora vendimin e duhur atëherë, por në futboll ka edhe gabime. Na rezultoi lëvizje pozitive dhe kjo të jep një lloj shenje në vazhdimësi. Lojtarët mund t’i lëvizësh, kemi bërë edhe lëvizje të tjera. E kemi bërë edhe me Imamin. Është me rëndësi që vendimet gjatë lojës të jenë të duhurat. Kam bërë edhe gabim në një ndeshje, që sot nuk e them dot”.
NDRYSHIMI TE TIRANA – “Duhet koha e nevojshme që ekipi të përvetësojë idetë që ke në kokë. Ndoshta kjo periudhë ka përmirësuar anën psikologjike, mënyra e lojës dhe se si i kanë zbatuar detyrat. Ka pasur edhe një seleksionim i lojtarëve. Ka pasur lojtarë që ishin rezerva. Edhe mua më duhet kohë të kuptoj kush janë të gatshëm për të menaxhuar ndeshjet. Pastaj ka edhe raste ku nuk shfaqen kualitetet. Rezultatet kanë kthyer edhe anën psikologjike. Ka ikur ai stresi kur kundërshtari na kthente brenda një pjese loje. Do na bëjë mirë nëse vazhdojmë të fitojmë. Ka ende potencial që ky ekip të rritet”.
LOJTARËT E RINJ – “E mendoj ndonjëherë dhe e flas me stafin. Trajnerët kanë preferencat e tyre, pëlqejnë dikë. Nuk ka pasur ndonjë moment për t’i futur dhe jam kushtëzuar në vendimmarrje. Tirana ka elementë të rinj dhe me shumë perspektivë. Mendoj se do jenë pjesë e Tiranës në të ardhmen dhe mund të jenë edhe nga ata që mund të bëjnë diferencën në kampionat. Në një moment tjetër, kur të kem luksin për të futur të rinj, do të aktivizoj ndonjë”,- u shpreh Mema.