“Djema, e keni problem të dalë Erjoni në konferencë?”, pyeti Ardian Mema pas fitores 4-1 që Tirana regjistroi me Kamzën. Normalisht nuk mund të shmangej dhe foli vetë. Kreu i pankinës bardheblu e dinte shumë mirë se ishte një triumf i gënjeshtërt, një nga ata që nuk mund ta marrësh për bazë.
Kartoni i kuq i Beqirit e ndryshoi totalisht lojën dhe Mema nuk mund ta mbyllë njërin sy, edhe pse i gëzohet fitores. Pjesa e parë e zhvilluar nga ekipi i tij e ka mërzitur dhe ai nuk dëshiron që Tirana të përjetojë situatën e shumë ndeshjeve në pjesën e parë të sezonit.
“Ka edhe një realitet që unë duhet ta shikoj me shumë kujdes, që është pjesa e parë. Kjo sepse ekipi nuk është shprehur ashtu siç duhet. Pjesa e dytë pastaj pati diçka tjetër, por të them të drejtën duhet një lloj realiteti ku unë ta shoh ekipin 11 kundër 11, jo 11 kundër 10 siç luajtëm ne kundër Kamzës. Mua nuk më gënjen kjo pjesë, që unë të jem entuziast me një ekip që është me 10 lojtarë”, shprehet Mema për “Top Channel”.
Pjesa e parë e sezonit i ka përballur bardheblutë me probleme kryesisht në mbrojtje. Një ditë më parë u zyrtarizua Jurgen Goxha, por Mema do donte edhe ndonjë afrim tjetër në atë repart. “Mendoj që koha është e pamjaftueshme, pasi shpejt mbyllet merkato. Është shumë e vështirë. Mund të jetë kjo lloj situatë, që mund të mbyllet kështu siç është. Do mundohemi të punojmë me grupin e lojtarëve që kemi, të punojmë me ta e t’i rrisim, apo qoftë edhe duke i adoptuar në pozicione të ndryshme”, shtoi tekniku i Tiranës.
Gjithsesi ka edhe optimizëm, pasi Mema përsërit se ekipi i tij ka forcë. Gjithsesi golat e falur në shumë ndeshjen mbeten një “peng” për të. “Mendoj se ky ekip e ka fuqinë. Të paktën me lojërat që ka bërë, flas gjithmonë nga momenti që unë kam ardhur. Kemi pasur lojëra goxha të mira. Gjithsesi kemi pasur probleme të jashtëzakonshme në kuptimin e faljes. E kemi thënë shpesh herë këtë, kemi falur pa fund. Faljet i kanë kushtuar shumë Tiranës”.