Ardian Mema, trajneri i Tiranës, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Skënderbeun në shtëpi. Kreu i pankinës bardheblu ka prekur shumë çështje, duke nisur nga problematikat e shfaqura e deri te merkatoja.
Ai i është përgjigjur edhe aludimeve të shumta në rrjetet sociale, ku ka persona që akuzojnë për shitje ndeshjesh. Memës as që i shkon ndër mend diçka e tillë dhe këtë e thotë me të madhe, duke sjellë në kujtesë faktin që në vendin tonë flitet pafund nëpër loto për gjëra të tilla, madje edhe për ekipe të mëdha evropiane.
Sa ju ka ndihmuar pushimi i kampionatit për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun?
-E para kemi pasur kohë për të riparuar veten dhe më pas për të përgatitur ndeshjen. Kemi bërë analiza të gjata me ekipin dhe kemi konstatuar shumë gabime. Nuk mund të them se ku, pasi jemi para ndeshjes. Jemi munduar të korrigjohemi disi, ekipi është i përgatitur. Do jetë ndeshje e bukur, kam besim se ekipi do e kalojë me sukses këtë ndeshje.
Thatë që do shihnit pozicionin tuaj pas Luftëtarit. A keni biseduar me presidentin dhe çfarë vendimi është marrë?
-Ishte një deklaratë e imja. Absolutisht presidenti nuk e ka pranuar. Kemi diskutuar gjatë. Ishte një moment që gjërat nuk po shkonin mirë. Po luftoja me veten për fatin jo të mirë që kemi pasur në ndeshje. E mendova dhe e thashë. Por mund të ketë qenë e nxituar, ishte moment emocional dhe duhet të kemi kujdes çfarë themi. I qëndroj atyre çfarë kam thënë, rezultatet të mbajnë në lojë. Sa i takon vazhdimësisë, me presidentin kam diskutuar gjatë gjithë kohës për projekte afatgjatë. Kjo i takon së kaluarës.
Tiranës tani i duhen pikët. Mund të merret fitorja me Skënderbeun?
-Që kur kam ardhur Tirana i ka pasur mundësitë për t’i fituar ndeshjet. Pjesën dërrmuese të ndeshjeve kemi qenë në avantazh. Tirana ka një problem – që ose e sjell ana psikologjike, siç edhe ka edhe momente papërgjegjshmërie me thënë të drejtën – disa here është falur ndeshja. Flas në aspektin sportiv. Nuk kam asnjë pishman për përgatitjet dhe për atë që lojtarët kanë dhënë në fushë. I gjithë problemi ka qenë te gabimet që na kanë sjellë rezultate të dobëta.
Thatë që ka pasur momente papërgjegjshmërie. Kjo vjen si mungesë e eksperiencës, dëshirës apo… mund të na zbuloni ndonjë emër apo repart?
– E preka pak më parë, që aspekti psikologjik mund ta sjellë këtë. Por lojtarët duhet të sillen si profesionistë. Nuk pranohet që të pësojmë për tre minuta dy gola, sikur ndodhi me Teutën. Kemi bërë analizë të thellë me të gjithë, kemi punuar me video me gjithë grupin, por edhe me individë. Nuk them dot emra. Ka pasur edhe nga lojtarët keqardhje për çfarë na ka ndodhur. Duhet harruar dhe të shohim përpara. Nuk kthejmë dot gjë prapa. Kjo të na shërbejë si pikënisje për të ardhmen.
Bashkëbisedimet që keni bërë, mendoni se janë perceptuar drejt nga lojtarët?
-Që i vogël merrem me këtë punë dhe e kuptoj direkt si njerëzit e përcjellin në mendjen e tyre atë që u them. E kuptoj atë që do ta kuptojë. Edhe ata që thonë “OK” dhe thjesht më dëgjojnë. Lojtarët me eksperiencë do të marrin lojën përsipër.
Ju ka vënë afat presidenti Halili?
-Nuk ka ndodhur. Mirë është të ndodhte, jo se do më thoshte vetëm mua, por të gjithëve bashkë. Gjithsesi një trajner i vendos objektiva vetes, edhe unë kam të miat. Kjo është padiskutueshme. nëse i arrij objektivat, puna do vazhdojë. Për pjesën e pikëve, normalisht që ka ekipe, 2-3 në Shqipëri vendosin prioritet pikësh për 4 ndeshje. Është një model që mund të bëhet edhe te Tirana, apo te shumë ekipe të tjera.
Skënderbeu ka treguar siguri në ndeshjet jashtë me ekipet e mëdha. I trembeni kësaj?
-Unë kam qenë pjesë e Skënderbeut, paçka se i kanë ikur disa lojtarë. Janë më të mirët sa i takon organizimit, kanë një grup lojtarësh që nxjerrin ndeshje në grup. Kur mblidhen së bashku e arrijnë rezultatin, siç ndodhi me Partizanin. Kanë mentalitet fituesi. Për pjesën që ata luajnë mirë me të fortët, edhe ne bëjmë të njëjtën gjë. Kjo nuk do të thotë që Tirana nuk i ka mundësitë për t’iu përgjigjur lojës së Skënderbeut.
Jeni përmbysur disa herë. Nëse kaloni në avantazh, keni ndonjë plan për ta ruajtur?
-Me Teutën ndodhi diçka që nuk para ndodh në futboll. Është e çuditshme të pësosh dy gola për dy minuta. Më e keqja ndodhi me Luftëtarin. Ishim në avantazh dhe po bëhej një lojë, që po na shkonte për shtat. Edhe pse ata kanë lojtarë të mirë para portës, por problemi ishte se ekipi nuk veproi si duhet për ato që u kam thënë para ndeshjes. Kjo ka qenë pjesa që më ka shqetësuar. Me Teutën është çështje fati, diçka që nuk e kuptoj.
Po të lexosh komentet në “Facebook”, ka njerëz që mendojnë se ndeshja është shitur…
-Dëgjo, unë jam trajner dhe gjëja e fundit që mund të mendoj është kjo që më thoni ju. Opinionet janë nga më të ndryshmet, kemi dëgjuar që e shet edhe Reali dhe Barcelona. Këto janë gjëra që duhen faktuar, nuk mund të flasim e shiti ky, apo e shiti ai. As që i mendoj. Në dy goditje standarde ndodh. Mund të ndodhë në dy korne. Nuk jemi pozicionuar mirë te goditjet standarde, por kjo pjesë nuk më shkon ndërmend.
Ju vjen keq që do të luhet pa tifozë?
-Gjëja më e rëndësishme për momentin do të ishin tifozët, sepse luajmë në shtëpi. Katër javë kemi luajtur jashtë. Do ishte mirë të kishim tifozët, pasi Skënderbeu është një ekip i mirë dhe duhet të mos ishte vetëm një ndeshje futbolli, por të kishte edhe spektakël. Jemi mësuar, pasi kemi luajtur më së shumti jashtë. Atje pak tifozë kanë ardhur.
Do ketë ndryshime në formacion, duke parë gabimet e shumta…
-Do ketë një ndryshim. Çdo ndeshje ka specifikat e veta dhe mënyra se si do të luajmë i përket ndeshjes së radhës.
Ana psikologjike, si është?
-Ndeshjet kanë qenë të ngjeshura, nuk ka kohë të punosh me shumë gjëra. Ana psikologjike është e para në futboll, pasi një ekip duhet të ketë një lloj entuziasmi kur hyn në fushë. Nuk mund të hyjnë lojtarët kokulur. Kur nuk ka entuziazëm, dihet që do të ketë probleme. Jam munduar të flas dhe është një pjesë që duhet kaluar. Në disa analiza, një nga gjërat që u kam thënë është se ju vraponi, luani me topin, shkoni te porta. Ai që nuk ka anën psikologjike, nuk i bën këto. Kam punuar shumë për t’ua ngritur moralin.
Mos ndoshta nuk e ndjejnë peshën reale që ka fanella e Tiranës?
-Kjo pyetje më është bërë që ditën e parë që kam ardhur këtu. Të them të drejtën kjo është një histori e gjatë, duhet kuptuar individualisht, duhet të kesh jetuar këtu dhe të kuptosh ndryshimet.
Merkato e janarit…
-Nuk është se të sjell lojtarë janari. Edhe te Skënderbeu ishte e vështirë. Punon shumë për të bërë lëvizje dhe ishte i dështuar. Gjithsesi kemi nisur të shohim lojtarë që tani në 2-3 pozicione. Nëse del diçka e mirë do e marrim. Kam qenë drejtor te akademia dhe nuk është e lehtë. Kur një lojtar kur vjen tek ekipi i parë duhet të sillet ndryshe nga te moshat. Në ekip të parë nuk mund të vish rastësisht, për si pasojë e meritave.
Sina ka thënë se Mema nuk ka bërë mirë që mori Tiranën…
-Është një opinion tij. Çdo njeri ka sfidat e veta. Kur e mora përsipër ishte sfida ime dhe i qëndroj. E kam thënë se njerëzit me karakter të fortë marrin përgjegjësi. Ata që kanë probleme me personalitetin kthejnë shpinën dhe vrapojnë.