Në Itali, afati i transferimeve mbyllet më shpejt se në vendet e tjera, ku në orën 19:00 mbyllet gjithçka. Aktualisht, merkatoja është mbyllur dhe transferimet e momenteve të fundit, më së shumti janë bërë nga ekipet e vogla, me përjashtim të ndonjë kalimi, që akoma nuk është zyrtarizuar, por që kontrata është firmosur.
Milan nuk arriti të mbyllte me sukses asnjë nga tratativat për Sant-Maksim apo Ferreira Karrasko. Një lëvizje u tentua në momentet e fundit për të afruar Simone Verdin e Napolit, por përsëri nuk u arrit marrëveshja.
Empoli ka qenë një ndër ekipet më aktiv, i cili ka afruar tre lojtarë dhe ka larguar një. Kevin Diks, Diego Farias dhe Marko Pajac janë lojtarët më të rinj të klubit, ku aktivizohet dhe Frederik Veseli. Ndërkohë, Rasmusen ka zgjedhur të largohet, teksa është lojtari më i ri i Fiorentinës.
Lacio, gjithashtu ka bërë një përforcim, teksa ka afruar Romulon nga Xhenoa. Torino, nga ana tjetër ka larguar dy lojtarë drejt Bolonjës dhe ka marrë në huazim, 18-vjeçarin Alehandro Markos nga Barcelona.