Të jesh 18 vjeç, të bëhesh futbollisti i dytë më i shtrenjtë në botë dhe të transferohesh te Parisi, natyrisht është një ngjarje e madhe në futboll, që lë pa fjalë çdo adhurues të futbollit, sepse shifra që ka arritur Kilian Mbape këtë verë është çmenduri, duke pasur parasysh që ka luajtur vetëm një sezon si profesionist.
Të gjithë akuzojnë PSG-në se ka prishur tregun, duke paguar shifra jashtë realitetit për të joshur lojtarër, por presidenti i PSG-së Naser Al-Kelaifi pretendon se Mbape refuzoi ofertë më të mëdha, për të përmbushur ëndrrën e tij, që ishte të luante për klubin parisien.
Mbape do të bëhet i tëri i PSG-së për 180 milionë euro verën e ardhshme, por Kelaifi është i bindur se nuk ishin paratë ato që e bindën sulmuesin e Francës: “Ishte një garë e jashtëzakonshme, më besoni. Disa klube i ofruan Mbapesë më shumë sesa i ofruam ne. Gjithë klubet e mëdhenj e donin, por ne i shpjeguam projektin dhe ambiciet e klubit dhe ai është francez, parisien dhe e ka PSG-në në zemër. Dëshironte të qëndronte në Francë dhe të mbronte ngjyrat franceze në Champions League. Ai dëshiron të shkruajë historinë dhe këtu ka histori, i patë fotot e tij kur ishte këtu para 10 vitesh? Një foto nuk gënjen. Ai e dashuron klubin, ëndrra e tij është të luajë për PSG-në”, deklaroi Al-Kelaifi në një intervistë për The Telegraph.
Për sa u përket 400 milionëve të shpenzuar për Nejmar e Mbape (ky i fundit do të paguhet verën e ardhshme në fakt), Al-Kelaifi është i qetë dhe kundërsulmon, kur i kujtojnë Fair Play-n financiar: “Kemi 6 vite që punojmë për të shtuar të ardhurat e klubit dhe në dy sezonet e fundit kemi dalë me fitim. Të ardhurat kanë shkuar nga 90 milionë euro në 500 milionë dhe do të rriten në të ardhmen. Kemi një vit kohë për të respektuar Fair Play-n financiar, ndaj u them të gjithëve: qetësohuni, shihni projektin tonë. Klubet e tjerë duan që UEFA të hetojë, por UEFA është institucion serioz dhe nuk ndikohet nga këto gjëra, zbaton vetëm rregullat. U kërkoj klubeve respekt, ashtu si i respektojmë ne. Kemi investuar në Ligën franceze dhe për të qenë konkurrues edhe në Champions League. Po i respektojmë të gjitha rregullat dhe rregulloret”.