Fitorja e Mançester Sitit 9-0 përballë Burtonit në gjysmëfinalen e “Carabao Cup” ka shkaktuar jo pak polemika në mediat britanike dhe opinionet për këtë rezultat “tenistik”, janë shumë të ndryshme.
Disa tabloide, e cilësojnë këtë ndeshje si një shembull që duhet ndjekur nga të gjitha skuadrat, ndërsa disa media të tjera e “kryqëzojnë” teknikun Guardiola dhe lakminë e tij për sukses.
“Guardiola ka prishur futbollin anglez!” “Lakmia e Guardiolës mposht respektin!” Kështu citojnë disa nga mediat britanike, që pavarësisht se kanë kaluar shumë ditë nga kjo sfidë, vazhdojnë të shfryjnë ndaj teknikut spanjoll.
Ekipi i Burton ishte surpriza e bukur e këtij edicioni në “Carabao Cup”, pasi arriti me shumë punë dhe meritë në gjysmëfinale, por Guardiola nuk u kursye aspak përballë modestëve dhe aktivizoi një formacion shumë të fortë përballë tyre. Rezultati 9-0 tregoi plotësisht diferencat mes dy skuadrave dhe tregoi qartë se Pep nuk mendon gjë tjetër veç suksesit, pavarësisht polemikave që mund të sjellë.
Klubi, lojtarët dhe stafi i Burton nuk janë aspak të shqetësuar. Ata ishin jashtëzakonisht të kënaqur me arritjen e tyre dhe përballë Mançester Sitit, nuk kishin asgjë për të provuar.
Ndërsa Guardiola po! Mund të tregonte se para lakmisë së tij për sukses mund të vendoste respektin mbi kundërshtarin, mbi arritjen e tyre, mbi suksesin që ky ekip thuajse i “panjohur” arriti, por Pep, nuk mund të linte emra si Sane, Sterling apo Zhezus në stol. Ndoshta, akademia e Mançester Sitit nuk prodhon më lojtarë.
Ndoshta Brahim Diaz dhe Fil Foden janë dy futbollistët e vetëm që kanë dalë nga kjo akademi dhe Guardiola, duhet të luajë me doemos me lojtarë që vlerësohen 100 milionë euro…
VERONIK ISTREFAJ