Marrëveshja me Ngo dhe klauzola e guximshme, sekretet e Edon Hasanit

Edon Hasani ka vendosur një rekord personal me dy golat e shënuar ndaj Kamzës. Shkodrani shkoi në kuotën e 7 golave, aq sa kanë shënuar edhe sulmues si Shkurtaj e Rexhinaldo, që është edhe shifra më e lartë e regjistruar prej mesfushorit në karrierë. Kur ishte pjesë e Kukësit ka realizuar deri në pesë gola.

Kundër Kamzës, ashtu si edhe me Flamurtarin, Tirana ka humbur penallti dhe më pas ka fituar. Hasani, në daljen e tij mediatike pas ndeshjes, nuk i shmangu batutat. Pas një fitoreje dhe si shkodran që është, sigurisht që priteshin.

“Me siguri u dashka me humb penallti, sepse edhe Majkëlli humbi penallti për të fituar ekipi”, tha me humor mesfushori. Më tej ai shtoi: “Nuk ka rëndësi që shënova unë, rëndësi ka që fituam. Është ndeshja e tretë radhazi që fitojmë. Na ndihmon të mbajmë moralin sa më lart dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”.

Pas ndeshjes Hasani po çalonte dhe sigurisht që shumëkush është shqetësuar për gjendjen e tij. Pritet që shkodrani të kryejë kontrollet mjekësore dhe të mësojë nëse ka diçka shqetësuese apo jo. Gjithsesi ndeshjen e radhës me Teutën është i detyruar ta ndjekë nga tribuna për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë.

“Faktikisht kam pasur tre kartonë të verdhë, mora edhe një tjetër të pjesa e festimit të golit. Edhe sikur të jem i shëndetshëm për të luajtur, nuk mundem dot për shkak se jam i skualifikuar”, shtoi Hasani, të cilin jashtë stadiumit po e prisnin disa fëmijë tifozë të Tiranës.

Ndoshta ata, por edhe të tjerë, nuk e kanë pritur që mesfushor të shënonte kaq shumë. Gjithsesi Hasani nuk tregohet aspak modest, edhe pse e thotë me nota humori që kish kërkuar një klauzolë për numër golash në kontratë.

“Rekordi i golave? Të them të drejtën e kam menduar. Në fillim të vitit kur kam diskutuar me drejtuesit e klubit të Tiranës, insistova për të vendosur një klauzolë në kontratë që do shënoj 10 gola. Është diçka që nuk ma aprovuan. Kështu që e kam parandjerë. Pra paskeni dalë i humbur? Po, deri diku (qesh)”.

Në fund një pyetje edhe për ekzekutuesin e 11-metërshave. Hasani zbulon edhe marrëveshjen që ka më Ngo. “Nuk e goditët penalltitë prej faktit që e humbët një me Flamurtarin? Jo, e kemi lënë më Majkëllin që i kisha unë penalltitë. Në momentin që do humbja një unë, radha ishte për të. Tani që e humbi ai, do i gjuaj unë (qesh). Besoj se do e shënoj të radhës”, përfundoi Hasani.

VLADIMIR PRENGA 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *