E ardhmja e Luçiano Spaletit si trajner i Interit është në dyshim. Rezultatet negative, eliminimi nga Champions Liga dhe Kupa e Italisë, si dhe mos menaxhimi i mirë i grupit të lojtarëve po shtyjnë drejtuesit të shohin për një alternativë tjetër, pavarësisht se Marota i ka dhënë besim trajnerit.
Gjatë ditëve të fundit është folur për një interesim për Antonio Konten, ndërsa së fundmi ka dalë në skenë dhe emri i Zhoze Murinjos. Portugezi është një idhull absolut i tifozërisë zikaltër dhe tripleta në vitin 2010 nuk harrohet kurrë.
Xhuzepe Marota do të takohet me Murinjon për të diskutuar mbi mundësinë e rikthimit të tij tek Interi, siç raporton “TeleLombardia”. Trajneri i famshëm u shkarkua gjatë muajit dhjetor nga stoli i Mançester Junajtid dhe ai e ka shprehur gjithmonë lidhjen e tij të veçantë me klubin italian.
“Interi ka qenë ekipi më i fortë që kam stërvitur ndonjëherë. Fituam gjithçka së bashku dhe në vitin 2010 fituam tripletën e famshme. Kur një profesionisti i kërkohet të rikthehet përsëri në një klub ku ka punuar më parë, është një nder i madh dhe do të thotë që ke lënë atje një shenjë pozitive. Nëse të kërkojnë të rikthehesh, kjo ndodh sepse e dinë vlerën tënde”, u shpreh Murinjo kohë më parë. Bisedimet janë gati të nisin dhe tifozët zikaltër shpresojnë që Marota të gjejë sa më shpejt akordin me trajnerin.