Administratori i deleguar i bardhezinjve, pa “doreza”: Ne nuk do të bëjmë merkaton që të tjerët duan, e rëndësishme është që në mars të jemi brenda të gjitha objektivave
Flitet edhe për merkato në Vilar Peroza. Në takimin tradicional të familjes së Juventusit, Bepe Marota analizon situatën: “Ka ende edhe 15 ditë merkato, pra mund të ndodhë gjithçka, edhe pse asgjë bombastike. Ne jemi të qetë, jemi në vend me skuadrën tonë kompetitive. Është një grup që vështirë se mund të përmirësohet. Ajo që na mungoi ishte “qershia” me trofeun Champions, por jemi fituar në Itali, pra do të thotë se grupi është shumë i fortë”.
MODELI FITUES – “Kemi treguar se jemi një model fitues, duam të vazhdojmë të jemi të tillë. Ne nuk blejmë lojtarë që opinioni apo piaca na kërkon që të blejmë, ecim përpara me organikën tonë që është shumë e vlefshme. Bentankur është nënvlerësuar duke parë se është i ri, por po tregon se është një talent”, ka shtuar drejtori i përgjithshëm bardhezi për Juventus tv”.
PROPOZIMI PËR MERKATON – Stop merkatos, “kur të nisë kampionati i njërës prej pesë ligave më të rëndësishme në Evropë”, ka qenë propozimi i Marotës. “Duhet të gjejmë një pikë të përbashkët, në nivelin evropian, për një akord të këtij lloji. Merkato është bërë shumë e gjatë, duhet shkurtuar. Nuk mund të transformohet futbolli në një shou që ka shumë pak lidhje me vlerën e lojës dhe me lojtarë që që në përjashtimin e parë nga grumbullimi nuk stërviten dhe dezertojnë stërvitjet sepse duan të ndryshojnë fanellë”.
OBJEKTIVI I TITULLIT – Në lidhje me skuadrat që do të luftojnë bardhezinjtë për trofeun këtë vit, Marota duket se nuk ka asnjë dyshim. “Juventusi është favoritja kryesore për fitoren e titullit, por edhe Milani për vetë merkaton që ka bërë është rivalja jonë kryesore. Ndërmjet favoritëve të tjerë janë edhe Interi që ka gjetur stabilitet, por edhe Napoli për vazhdimësinë e rezultateve”.
MATUIDI – Ndërkohë dje Matuidi nuk ka qenë i pranishëm në Vilar Peroza, teksa kjo mungesë e ka patur një justifikim. “Kemi një akord verbal me PSG-në, teksa sigurisht që përpara se të hidhte firmën dhe të kalonte testet mjekësore ai lojtar nuk mund të ishte këtu”.
SANDRO – Drejtori i përgjithshëm, në fund, ka folur edhe për Aleks Sandron: “Ai do të qëndrojë këtu, ne kemi refuzuar shumë kërkesa. Nuk mbajmë lojtarë me zor, këtë e përsëris, por ka ende edhe 15 ditë merkato dhe do të mundohemi të menaxhojmë kërkesat e klubit”.