Naftëtari është njëra nga skuadrat që në Kategorinë e Dytë garon këtë sezon pasi zbriti nga e Para. Por nëse Shkumbini është duke e kryesuar Grupin B, kuçovarët e nisën me shumë rrezik kampionatin. Kuçovarët kanë disa javë që e kanë lënë fundin e renditjes në Grupin B dhe në javën e 22-të skuadra e drejtuar nga Brajan Frraholli fitoi pastër 3-0 me Delvinën.
Tashmë duket qartë se rreziku i mbijetesës ka kaluar. Këtë e pranon për SportEkspres.com edhe kapiteni i Naftëtarit, Anesti Marini, i cili deklaron se e meritonin të ishin në Kategorinë e Dytë në këtë sezon. “Ne e nisëm dobët këtë sezon, nisur edhe nga përbërja e re që ka skuadra. Gradualisht u arrit të kompaktësohemi, e tashmë ne ndjehemi të qetë në renditje. E meritonim këtë qëndrim në Kategorinë e Dytë, por kjo skuadër do konsolidohet gjatë verës për të qenë pretendente në sezonin e ri”, u shpreh fillimisht Marini.
Në javën e ardhshme kuçovarët luajnë në transfertë me Skraparin, ndërkohë që kapiteni i Naftëtarit thekson se në katër ndeshjet e mbetura objektiv janë pikët e plota. “Janë edhe katër ndeshje deri në mbyllje të kampionatit. Mendojmë të grumbullojmë 12 pikë dhe të ngjitemi sado pak në renditje. Këtë synim e kërkojmë edhe për të respektuar tifozët tanë, të cilët na kanë ndjekur në vështirësitë që kaluam këtë sezon”, përfundon Marini.
AGRON KAJA