Debutim me fitore për Diego Maradonën në pankinën e Dorados Sinaloa. Ekipi i drejtuar nga legjenda argjentinase ka fituar me rezultatin 4-1 përballë Kafetaleros Tapakula.
Me këtë tre pikësh ekipi i Maradonës është ngjitur në vendin e 10-të në divizionin e dytë të futbollit meksikan, ndërsa trajneri, i cili kishte pësuar shumë kritika, ka reaguar pas kësaj fitore. Diego është i kënaqur me debutimin e tij dhe shpreson që kjo fitore t’i bëjë të heshtë kritikët e shumtë.
“Nuk e di nëse do të mbyllen shumë gojë që flasin, unë kam ardhur këtu për të punuar me stafin tim. Disa thanë që Maradona nuk ishte i mirë për asgjë, por e panë se çfarë mund të bëj. Nuk kemi fituar asgjë, ishte vetëm një ndeshje dhe kemi dhe shumë të tilla përpara. Është thjesht një ëndërr e bukur, që sapo ka nisur”, përfundon Diego Maradona.