Qendërmbrojtësi i Partizanit Renato Malota i është nënshtruar sot ndërhyrjes kirurgjikale në gju, në një nga spitalet e kryeqytetit. Faqja e Partizanit njofton se ndërhyrja në menisk ka përfunduar me sukses. Dëmtimi i marrë në fundin e sezonit i ka kushtuar mbrojtësit lezhjan që të humbasë kupat e Europës.
Lojtari ka gjetur mbështetjen e drejtuesve të nënkampionëve, të cilët e kanë vizituar Malotën në përfundim të operacionit. Luçiano Moxhi, Genc Tomorri dhe Edmond Haxhija kanë parë nga afër gjendjen e lojtarit dhe i kanë dhënë atij mbështetjen e tyre. 28-vjeçari do të nisë gradualisht fazën e rikuperimit me synimin për të qenë sa më parë i gatshëm për skuadrën. Gjatë këtij sezonin Malota u aktivizua në 20 takime, 18 prej të cilave i nisi si titullar, madje duke arritur të realizojë dhe një gol përballë Tiranës, në derbin e fazës së tretë.