Gëzimi i fitores tenistike ndaj Hadërsfilldit ka zgjatur shumë pak për skuadrën e Pep Guardioës, pasi “qytetarët”, kanë pësuar një tjetër dëmtim të rëndë në stërvitje, pas atij të Kevin De Brujn, i cili dëmtoi ligamentet e gjurit.
Kësaj radhe fatkeqi ka qenë portieri Klaudio Bravo. Kiliani dyshohet se ka këputur tendinin e thembrës, një dëmtim ky që ka një kohë rikuperimi minimale prej të paktën 7 muajsh. Por, nuk mbaron këtu, pasi telashet për Bravon do të vazhdojnë dhe më pas, sepse do t’i duhet të kryejë fizioterapi të përditshme për të ulur dhembjet që do ta shoqërojnë gjatë të gjithë jetës.
Gjithsesi, nuk bëhet fjalë për një mbyllje karriere. Bravo ka dy vite kontratë me klubin e sheikëve dhe të paktën do të jetë gati për sezoni e ardhshëm. Ndërkohë, Pep Guardiolës i duhet të mendojë për të afruar një portier tjetër, pasi fatit asnjëherë si dihet dhe në rast dëmtimi të Ederson, tekniku spanjoll do të jetë i detyruar t’i besojë djemve të akademisë.