Edon Hasani po zhvillon një sezon fantastik në aspektin personal. Mesfushori i Tiranës ka shënuar shtatë gola si asnjë herë më parë në karrierë. Futbollisti shkodran ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku foli për ecurinë me bardheblutë.
PËRSE FANELLA ME NUMRIN 16 ? – “10-ta është si një numër i mallkuar këtu te Tirana. Lojtari i fundit i mirë që ka pasur numrin 10-të ka qenë Devi Muka, të tjerët që e kanë marrë nuk u ka ecur mirë. Kur erdha këtu doja ta merrja, por drejtuesit më shpjeguan historikun dhe nuk ma sugjeruan. Por ndoshta në vazhdim mund ta marr 10-ën për të thyer mallkimin
OBJEKTIVI EUROPË – “Ne kemi luajtur dhe kundër ekipeve që janë në katërshen e parë dhe i kemi dominuar me lojë. Sot ndaj Kukësit treguam që mund të dominojmë dhe fitojmë. Unë kam shumë besim se mund të shkojmë në Europë”.
TITULLI – Titulli është midis Partizanit dhe Kukësit. Mendoj se shanset janë 60% me 40%. Një disavantazh i Kukësit është dhe fakti që nuk luan në shtëpi. Në të shkuarën stadiumi ka qenë një plus i madh për Kukësin”.
ECURIA E TIRANËS – “Vazhdimësia është shumë e rëndësishme. Në gjashtë ndeshjet e fundit kemi pasur 4 fitore 1 barazim dhe 1 humbje ndaj Laçit ku bëmë një pjesë të dytë shumë të mirë. Gjithsesi duhet të vazhdojmë kështu pasi kampionati është i gjatë”.
MBROJTJET – “Është e vërtetë që kemi pasur probleme në mbrojtje, ndoshta duhet të punojmë më shumë në stërvitje për problemet në mbrojtje”.
ATMOSFERA –“Rezultat e mira kanë rikthyer atmosferën në ekip. Tirana nuk është mësuar me këtë renditje që është tani. Mendoj se me këtë vështirësi që kemi tani edhe tifozët do të na kuptojnë dhe u bëj thirrje që të bëhemi të gjithë bashkë”.
“Sekreti është puna. Ndoshta dhe mungesa e merkatos ka krijuar më shumë vetëbesim te lojtarët, pasi ndonjëherë lojtarët që vijnë nga merkato mund të hapin probleme në skuadër”.
SHKODRANËT TE TIRANA – “Pothuajse të gjithë shkodranët që kanë luajtur me Tiranën kanë fituar trofe, nuk dua që të jem ndër të parët që nuk e kanë bërë këtë gjë”.
RENDITJA – “Në fillim u diskutua që objektivi minimal i klubit të ishte arritja e kupave të Europës. Matematikisht mund ta arrijmë këtë dhe me anë të kampionatit, por jemi shumë pranë ekipeve të fundit të tabelës, kështu që them të qëndrojmë me këmbë në tokë”.
Do i ndërrojë 10 gola në kampionat për një gol në derbi ? – “Kam bërë 7 gola dhe do t’i ndërroja për një tre pikësh në derbi. Kur erdha te Tirana kërkova një klauzolë për 10 gola, por drejtuesit nuk e pranuan këtë”.