Maldini: Italia ka mbetur shumë pas Europës, ju tregoj çfarë më ka tërbuar më shumë!

Paolo Maldini është emri më i përfolur aktualisht te Milani, me ish-kapitenin legjendar, i cili pritet të vendos nëse do të marrë një rol tjetër drejtues këtë sezon, duke vijuar punën e tij me kuqezinjtë.

Së fundmi italiani ka dhënë një intervistë për “Rolling Stone”, ku ka folur gjatë për disa tema, si roli i ri që ka në futboll si drejtues, tifozët e Milanit, futbollin italian, apo edhe nostalgjinë për vitet ’90.

RIKTHIMI NË FUTBOLL SI DREJTUES – “Kisha 9 vite pushim, e pagova shtrenjtë për një vit (qesh). Ndoshta kështu e përjetoj unë, por më është dukur shumë e lodhshme, më tepër se puna si futbollist. Kur luaja futboll, mbaroja stërvitjen dhe kisha kohë për familjen, tani është e pamundur dhe telefoni bie çdo moment”.

TIFOZËT – “Besoj se ajo që dikush ka bërë në fushë mbetet përgjithmonë, por tifozi pret gjithnjë kthimin në nivelet e së shkuarës, është kërkues nga natyra. Pastaj nuk është se po ishe futbollist i zoti je automatikisht edhe drejtues i zoti”.

MODERNIZIMI I FUTBOLLIT – “Është proces i pakthyeshëm, mendoj se një klub me 120 vite histori si Milani duhet të shohë nga e ardhmja, pa e harruar nga vjen. Modeli është Anglia, ku stadiumet janë supermoderne, por njëkohësisht plot traditë”.

SAN SIRO – “Është një stadium perfekt për këdo që luan aty, publiku është dy hapa larg dhe kjo të jep ndjesi unike. Megjithatë, për ata që shohin, do duhej një eksperiencë më e mirë, por kjo bëhet vetëm nëse stadiumi është pronë e klubit. Stadiumet në Itali janë të vjetra, kemi mbetur shumë pas Europës, kjo është ajo që nuk më pëlqen në futbollin italian. Çfarë më pëlqen? Këtë sezon kam parë disa ekipe të vogla, si Empoli, që kanë luajtur pa frikë dhe në sulm deri në ndeshjen e fundit të sezonit”.

FAMA DHE PRIVATËSIA – “E kam pasur gjithnjë synim të jem anonim. Shpresoja që të vinte një moment kur fama të binte dhe të bëja një jetë normale, të bëja pushime i qetë, të pija një kafe pa më njohur askush. Megjithatë, këto gjëra nuk i kam shijuar kurrë. Faji është i Botërorit ’90 (qesh). Që atëherë fama ime i shumëfishua, sepse na pa e gjithë bota”.

NOSTALGJIA PËR VITET ’90 – “Në përgjithësi nuk shoh nga e shkuara me nostalgji. Megjithatë, këtë vit u zemërova shumë në një rast, sepse një orë e gjysmë para ndeshjes së Milanit gjeta 4 lojtarë nga tanët që shihni Superclasicon River-Boca! Nuk duhet kaq shumë teknologji në jetë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *