Lushnje, ki pak më shumë besim!

Partizani-Lushnja 0-0! U fol e u stërfol për krizën e Partizanit, për problemet, për sulmin që nuk shënon, për fajtorët… Por, ishte edhe një kundërshtar në fushë, që meriton respekt. Lushnjën e kemi llogaritur të zbritur nga kategoria, jo pa faj, sepse është futbolli i milionave, i eksperiencës dhe i bërrylave. Lushnja nuk ka asnjërën prej tyre.

E megjithatë, ia doli mbanë të merrte pikë në Tiranë. Nuk është aspak e lehtë, para ndeshjes të gjithë bënin humor: Ja, i erdhi dita Partizanit, do gjejë Lushnjën për të rregulluar moralin e renditjen. Nuk bëri as njërën e as tjetrën, ndërsa Lushnja i mori pikë më lehtë se Kukësi.

Është ekipi i vetëm pa lojtarë të huaj, me paga modeste, por Lushnja është gjithnjë aty, zbrit e ngjitu. Meritë është edhe kjo, pasi në një Superiore me 10 skuadra, ku ngjitet vetëm një nga secili grup i së Parës, duhet një sforcim i madh ekonomik e psikologjik, duhen duruar edhe akuzat për shitje ndeshjesh kur nuk ia del mbanë.

Skuadra e Lushnjës, të jemi realistë, nuk është më cilësorja në Superiore, por nuk ka faj ajo që po luan gjithë ndeshjet në fushë kundërshtare, sepse në Fier praktikisht është fushë kundërshtare. Nuk ka faj Lushnja që nuk ka investitorë të fuqishëm nga pas, nuk ka faj as Bano që nuk po vjen fitorja, fundja Partizani, Flamurtari, Vllaznia, por edhe Kamza, janë stof tjetër. E megjithatë, Lushnja i ka dy pikë, aq sa Partizani. Mund të kishte më shumë, por duket qartë që i mungon guximi dhe vetëbesimi. Ndoshta Lushnja do të bjerë nga Superiorja, nuk është fundi i botës dhe nuk është se dikush mund të thotë krenar: Ja, e dija, e kisha thënë me kohë! E thonë të gjithë, nuk është meritë të thuash që bie Lushnja.

Ama nëse Lushnja nuk transformohet në një Tërbun a Korab, kjo po, është meritë. Vitin e shkuar në Serinë A deri në shkurt qeshnin të gjithë me Krotonen e varfër. Për 3 muaj siguroi mbijetesën! Lushnje, bëhu pak Krotone, egërsohu pak dhe provoje, fundja 1 fitore është më mirë se 2 barazime dhe duke parë si ka nisur Superiorja, nuk është se rivalët janë shumë më mirë se Lushnja. Pyesni Partizanin…

Blerim Jahaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online