Lushnja në “udhëkryq”, fati i Banos nuk dihet

0

Zëra pro dhe kundër largimit të ish-trajnerit, por ende nuk ka një vendim zyrtar. Kryebashkiaku Tushe se ka thënë ende fjalën e fundit, por…

Arjan Likja

Dorëheqja e Artan Banos nga drejtimi i pankinës verdhejeshile menjëherë pas humbjes zhgënjyese me Laçin ka lënë pezull drejtimin e ekipit, që po vazhdon të stërvitet nga zëvendëstrajneri Dritan Cuko përgatitësi atletik Llazar Gjika. Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, akoma nuk ka dalë me një prononcim të prerë zyrtar, apo të autorizojë ndokënd nga stafi i tij, veprim ky që do të shuante  interesimin e mijëra tifozëve lushnjar, të cilët ende nuk e dinë nëse do të pranohet dorëheqja e Banos apo do të refuzohet. Aludimet në qytetin myzeqar janë për të dyja variacionet por, shumica mendon se Tushe do ta refuzojë dorëheqjen dhe Bano do të rikthehet në drejtimin e ekipit.

ARTUR ÇOBANI – Ish-futbollisti, ish-presidenti dhe një nga zyrtarët më të lartë në drejtimin e klubit, Artur Çobani, është nga të vetmit që jep prononcime direkte për median në lidhje me ecurinë e ekipit verdhejeshil dhe në lidhje me problematikat e Lushnjes. Edhe për dorëheqjen e trajneri Bano ai jep versionin zyrtar, teksa pohon se dorëheqja e Banos është pranuar në parim, ndërkohë që po tentohet gjetja e zëvendësuesit të tij. “E kam thënë edhe më parë se humbja ndaj Laçit ishte e papranueshme. Prisnim reagimin e ekipit, ndërkohë që futbollistët kanë bërë një paraqitje që nuk lë vend për  justifikime. Në dijeninë time di që dorëheqja e Banos është pranuar dhe ne po kërkojmë një emër tjetër si zëvendësues të tij. Kjo gjë ka për të ndodhur shumë shpejt dhe është e drejta ekskluzive e kryetarit të bashkisë Fatos Tushe”, deklaron koordinatori sportiv i Lushnjes, Artur Çobani.

ÇELA & GAVA – “Të gjithë ne futbollistët jemi koshient për ecurinë jo të mirë që kemi bërë në këto shtatë javë kampionat. Pa dyshim ne si futbollistë pranojmë pjesën tonë të fajit për aq sa na takon, por njeriu që ka më pak përgjegjësi mendoj se është trajneri Artan Bano. Mjafton të kujtoj përpjekjet dhe sakrificat që ai ka bërë në sezonin e kaluar, së bashku me ne futbollistët, për ngjitjen e Lushnjes në Superiore me ato financa minimale, krahasuar me rivalët tanë. Edhe  ngritja e Lushnjes së këtij sezoni ka qenë mjaft e kushtëzuar nga ana financiare, duke patur parasysh se jemi një ekip bashkie. Nëse u bë i mundur formatimi i këtij ekipi, merita i takon vetëm Banos. Po t’i hymë kushteve aspak profesionale ku ekipi ka kryer fazën përgatitore  dhe aq më keq gjatë kampionatit, mendoj se askush nuk duhet të guxojë të analizoj ecurinë tonë. Dorëheqjen e Banos e konsideroj si veprim emocional të nxituar dhe shpresoj që bashkia ta refuzojë dhe të rikthejë trajnerin në drejtimin e ekipit”, ka thënë mesfushori Çela, ndërkohë që edhe mesfushori Orgest Gava thekson se trajneri Bano nuk është fajtor për ecurinë e skuadrës. “Nuk është faji i Banos për këto paraqitje të dobëta që kemi bërë deri tani. Mendoj se përgjegjësia kryesore bie tek ne futbollistët. Unë bëj pjesë tek ata futbollistë që shpresoj se Lushnja do t’i rikthehet rezultateve pozitive dhe do të rikuperoj në klasifikim për të pretenduar qëndrimin në Superiore. Më mirë se me Banon nuk mund ta bëjmë këtë rikuperim, ndaj shpresoj që drejtuesit e bashkisë të refuzojnë dorëheqjen e tij”, ka përfunduar Gava.

RAMADAN BABALLËKU – Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i mirënjohur Ramadan Baballëku, ka qenë një nga zërat më kritik në qytetin myzeqar  dhe nga të vetmit që ka guxuar dhe ka parashikuar këtë ecuri të dobët të Lushnjes. “Dorëheqja është çështje morali personal. Bano ka patur ecuri më të dobëta në drejtimin e Lushnjes dhe nuk e ka dhënë dorëheqjen. Nëse do isha unë në vend të tij nuk do pranoja drejtimin e ekipit në kushtet që i ka ofruar bashkia. Për mua kjo është një dorëheqje shumë e vonuar. Por nga ana tjetër kushdo që të vijë në vend të Banos nuk do ketë mundësinë për të rikuperuar atë ‘gropë’ që është krijuar në klub nga menaxhimi dhe drejtimi joprofesional që bashkia i ka bërë futbollit në këto gjashtë vite. Këtu kam parasysh gjendjen e infrastrukturës, shkatërrimin e ekipeve të moshave, si dhe mungesën e  një strategjie afatmesme apo afatgjatë për mbarëvajtjen e klubit. Me pak fjalë unë dorëheqjen e Banos e shoh si një veprim ‘honorifik’, që nuk rregullon asgjë në lidhje me përmirësimin e ecurisë së ekipit. Për mua Lushnja është ekipi i parë që do të ikë andej nga erdhi në sezonin tjetër”, deklaroi Baballëku.

RAMAZAN GJYLA – Zoti Gjyla është një nga oponentët më të fortë në këshillin bashkiak të bashkisë së Lushnjes, që ka kërkuar largimin e Banos dhe të gjithë stafit teknik të Lushnjes që në sezonin e kaluar. Gjyla mendon se kjo dorëheqje do të bëjë të mundur afrimin e tifozërisë lushnjare, që sipas tij ka afro katër sezone që e ka bojkotuar stadiumin “Roza Haxhiu” dhe ekipin e zemrës.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.