Aurelio De Laurentis është shfaqur shumë i lumtur pas fitores me Torinon, por mbi të gjitha për lojën e skuadrës. Presidenti i Napolit ka komentuar lojën e bukur dhe është i lumtur dhe i qetë, që ka në stolin e skuadrës një trajner si Karlo Ançeloti. Nga ana tjetër, trajneri i Napolit tenton të mbajë ekipin me këmbë në tokë dhe shpjegon lëvizjen taktike të Insinjes, i cili shënoi një dygolësh në këtë sfidë.
DE LAURENTIS – “Jeta është më e bukur dhe më argëtuese me Karlo Ançelotin. Pashë Mertens të rikthehet të krijojë lojë. Me Sarrin luanim njësoj, në një zonë më të ngushtë të fushës, ndërsa tani ka variacion. Kur zgjodha Ançelotin, e dija se kisha marrë një trajner me eksperiencë që më bën të ndjehem i qetë dhe në këtë fillim sezoni, qetësia nuk më ka munguar. Shoh një stil tjetër loje, 360% të ndryshëm. Të gjithë e dinë sa të dobishëm janë, por askush nuk ndihet i pazëvendësueshëm dhe zemërohet nëse nuk luan. Mund ta pohoj që jemi më të fortë se vitin e kaluar”.
KARLO ANÇELOTI – “Ishte një fitore e bukur në një fushë të vështirë, që do të na ndihmojë të rrisim autovlerësimin. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të rritemi e përmirësohemi. Vendosa të kaloja Insinjen më në qendër, për t’i limituar detyrat mbrojtëse dhe që të përqendrohej në sulm. Mertens kreu një lëvizje të madhe, por nuk arriti të shënonte. Verdi është një lojtar me vlera dhe e kemi blerë për t’i rritur performancën ekipit. Po përshtatet mirë dhe po korr frytet e punës së tij. Luajmë me Parmën pas tre ditësh kundër një kundërshtari që po bën mirë, por duhet ta kalojmë dhe këtë pengesë. Duhet të mendojmë të përgatisim me qetësi këtë ndeshje”, përfundon Karlo Ançeloti.”