Lum Rexhepi i skualifikuar, “ankth” për Bruno Telushin

Fitorja me Teutën është shoqëruar edhe me një faturë për Partizanin. Në ndeshjen e radhës me Kukësin do të mungojë mbrojtësi Lum Rexhepi, i cili ishte i vetmi në kampin e kuq që rrezikonte prej kartonëve. Shtatlarti u ndëshkua dhe trajneri Skënder Gega duhet t’i bëjë llogaritë pa të.

Në takimin me durrsakët mungon edhe Rubin Hebaj dhe Jurgen Bardhi, të cilët me shumë mundësi do të kthehen të gatshëm ndaj verilindorëve. Shqetësimi më i madh për momentin është mesfushori Bruno Telushi, i cili luajti vetëm në 45 minutat e para dhe më pas i la vendin Kotes.

“Për fat të mirë Hila u rikthye, por u dëmtua dikush tjetër. Janë dy javë pushim dhe shpresoj të rikuperohen të gjithë. Telushi ka pasur një problem ne gjoks dhe nuk u ndje mirë. Pati probleme me frymëmarrjen. Po interesohet grupi mjekësor. Ndërsa Hebaj dhe Bardhi kanë probleme muskulore. Shpresoj këto dy javë të rikuperohen dhe të rikthehen”, deklaron Gega.

“Mungon edhe Rexhepi? Atandës i kemi dhënë ‘titullin’ të luajë në disa pozicione, por nuk flasim dot për Kukësin që tani, Të qetësohemi pak dhe pas dy ditëve të fillojmë përgatitjet për atë ndeshje”, u shpreh trajneri i të kuqve për mediat pas ndeshjes me Teutën.

TELUSHI – Mbrëmjen e djeshme Bruno Telushi ishte në spital dhe kreu disa kontrolle mjekësore. Nga ajo që mëson “SportEkspres.com”, mjekët i kanë thënë që trajtimi i marrë pas dëmtimit nuk ka qenë i duhuri.

Dyshimi është për një problem në mushkëri dhe realisht Telushi rrezikon ndeshjen me Kukësin. Gjithsesi për momentin me rëndësi shihet që mesfushori të jetë mirë në aspektin shëndetësor. Kontrollet mjekësore të hollësishme që pritet të bëjë do të nxjerrin edhe problemin real që ai ka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *