Romelu Lukaku, sulmues i nivelit të lartë, por një bishë që shënon vetëm ndaj ekipeve të vogla dhe nuk ka inteligjencën e mjaftueshme për t’u bërë sulmues perfekt për klube të mëdhenj. Kjo është ideja që mbizotëron kur flitet për belgun, i cili tashmë rrezikon largimin nga Mançester Junajtid.
Sipas mediave angleze, nëse Zhoze Murinjo largohet, edhe Lukaku bën gati valixhet dhe ankandi ka nisur. Një tregues i qartë i asaj që po ndodh është fakti se tregu i basteve ka ndryshuar kuotat dhe tashmë Lukaku duket drejt kthimit te Çelsi.
Kompania Coral e kuoton 4 transferimin e tij në Londër dhe kuota kanë pasur rënie të vazhdueshme ditët e fundit, shenjë se diçka po lëviz dhe që në janar priten të reja të rëndësishme, sepse Çelsi do sulmues, duke parë rendimentin e ulët të lojtarëve që ka aktualisht në ekip, duke përjashtuar Hazard.
Edhe verën e vitit 2017 Çelsi e kërkoi me ngulm Lukakun, me trajnerin Konte që e kishte prioritet, por oferta e Junajtid ishte tepër joshëse për Evertoni, edhe pse Lukaku donte Çelsin.