Portieri i Romës Alison jetoi vetëm dy vite në Romë, por aq mjaftoi që ai dhe gruaja e tij të krijonin një lidhje të fortë me qytetin dhe klubin verdhekuq. Largimi nga kryeqyteti Italisë nuk është përjetuar mirë nga braziliani, i cili në një intervistë për “Gazzeta Dello Sport” rrëfeu dhimbjet që përjetoi nga transferimi në Angli.
“Largimi nga Roma ishte shumë i vështirë. Unë dhe gruaja ime nuk i mbajtëm dot lotët. Gjithsesi, të jem i sinqertë ishte vendimi i duhur. Bëra një zgjedhje për të mirën e karrierës sime, shkova në një ekip më të mirë dhe Roma përfitoi një shumë të madhe nga transferta ime”.
“Mendja më çoi në Liverpul, por përbrenda isha i hidhëruar. Kalova dy vite shumë speciale në Romë. Më pëlqente shumë të bëja shëtitja nëpër qytet dhe të shikoja shatërvanin “Trevi” dhe vendin tim të preferuar në Romë, Koloseun”, përfundoi Alison.