Azdren Llullaku u largua nga Astra dhe pret të vendosë për të ardhmen e tij. Ofertat nuk i kanë munguar, madje as nga Superiorja. Vetë sulmuesi e ka pohuar se Partizani e Kukësi janë interesuar për të, por sigurisht që nuk është e lehtë mbyllja e tratativave me sukses.
Kërkesat financiare të Llullakut janë të papërballueshme për klubet shqiptar dhe së fundmi ai ka fluturuar drejt Bjellorusisë. Sulmuesi ka ndjekur nga afër ndeshjen Shaktar Soligorks-Minsk, duke shijuar spektaklin e Elis Bakajt (shënoi 2 gola dhe u shpall njeriu i ndeshjes).
Mësohet se prej disa ditësh Llullaku është në bisedime me Shaktar Soligorks dhe mbetet të shihet nëse do të gjejë gjuhën e përbashkët. Mundësitë financiare të klubit bjellorus dihet që janë më të mëdha se të klubeve shqiptare dhe Llullaku mund të bindet të provojë një aventurë të re në Bjellorusi.