Liverpuli mbreti i merkatos, Klop i përgjigjet Murinjos

Liverpuli është mbreti i merkatos në Premier Ligë këtë verë, nuk ka asnjë dyshim, edhe pse ka ende pak javë deri në mbyllje të merkatos, që në Angli këtë vit do të mbyllet pa ardhur mesi i gushtit.

The Reds kanë afruar lojtarë klasi, por trajneri Jyrgen Klop ka mohuar se Liverpuli është nën presion më të madh se kurrë për të fituar titullin, pas provokimit të Zhoze Murinjos, i cili është shprehur se në Liverpul të gjithë presin titullin dhe Klop nuk ka justifikime, me ekipin që ka ndërtuar.

Alison, Nabi Keita, Fabinjo e Xherdan Shaqiri janë bashkuar këtë verë me nënkampionët e Europës, që duket se kanë mbushur edhe at boshllëqe që kishin, por Klop është i bindur se nuk është aq e thjeshtë dhe rivalët gjithashtu kanë investuar shumë mirë.

“Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë presioni, vetëm se njerëzit besojnë pak më shumë se vjet. Puna jonë është që ta përmirësojmë skuadrën çdo vit, të përmirësojmë futbollin dhe të rritim shanset tona, por skuadrat e tjera nuk po flenë, Mançester Siti është ende një skuadër fantastike, Junajtid po ashtu, pastaj janë Çelsi, Arsenali, Totenhemi, që janë përforcuar të gjithë. Evertoni po bën gjëra të mëdha, Ulvërhemptoni mund të jetë një surprizë, ndaj nuk duhet të ëndërrojmë shumë”, është shprehur Klop, i cili shpjegon edhe shpenzimet, duke nisur nga portieri Alison.

“Të gjithë mendojnë se janë shumë para. Po, janë shumë, por Alison mund të largohej nga Roma vetëm për shifra të çmendura. Klauzola për Oblak është 100 milionë euro, për shembull, e shihni sa bukur? Tregu i portierëve është i veçantë, sepse nuk ndodh çdo vit që të ketë portierë cilësorë në shitje. Ne kishim dy portierë shumë të mirë, si Minjole e Karis, por Alison nuk u ble për shkak të finales së humbur në Champions. Ne dëshironim një lojtar që nuk e kishim më parë, për të qenë të ndershëm, dhe jemi të lumtur që e morëm Alisonin, kaq”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *