Andi Lila përfiton gjithmonë të shohë ndonjë ndeshje të Superiores. Lojtari i PAS Janinës, i cili është parë të ndjekë ndonjë përballje në stadiumin e Gjirokastrës, kjo edhe për shkak të afërsisë gjeografike, kësaj radhe ka ardhur në kryeqytet.
Sigurisht për të ndjekur Tiranën, ekipin në të cilin u aktivizua për tre sezone dhe fitoi titullin kampion, të fundit në kampin bardheblu. Xholi i kombëtares analizon duelin kundër Kukësit. Bardheblutë ndodhen në një moment të vështirë, por Lila nuk e mendon mbijetesën, për të mirën e Tiranës dhe futbollit shqiptar.
Zgjidhja janë gjaku i ri, pra puna e mirë me akademitë. Në fund trajneri i ri i kombëtares, Edi Reja. 33-vjeçari beson te eksperienca dhe puna e tij dhe ka një dëshirë të madhe për kombëtaren kuqezi.
Andi, ndoqët Tiranën nga stadiumi. Çfarë prisnit dhe çfarë nuk shkoi sipas jush?
-Faktikisht erdha pjesën e dytë, pasi nuk arrita ta kap dot pjesën e parë. Pashë një lojë ku Tirana e kërkoi golin e barazimit në të gjitha mënyrat, por edhe pak fati i mungoi në rastin kur Imami doli tek për tek me portierin. Normalisht po të shfrytëzohej ai rast rrjedha e lojës mund të ishte tjetër. Gjithsesi Kukësi ka një ekip për t’u lavdëruar, luan futboll dhe me atë që kam parë është ekip që ka besim te vetja, është ekip me personalitet dhe luan shumë mirë futboll. Fitoi dhe ai që e bën këtë është më i miri.
Sa e shikoni Tiranën të rrezikuar?
-Nuk e mendoj që Tirana me këtë grup që ka, me këto kualitete, të jetë në këto pozita që është. Duhet të ishte pak më mirë, ose shumë më mirë se sa sot. Nuk mendoj se Tirana mund të rrezikojë rënien nga kategoria. Kjo pasi i ka kualitetet brenda, dinë të luajnë futboll dhe kanë treguar se kanë bërë shumë ndeshje të mira. Ndodh që në një ndeshje të mos jesh në ditën tate. Mendoj se Tirana do vazhdojë përpara. Keqardhje ndjej për çdo skuadër që bie nga kategoria, pasi unë jam futbollist vetë dhe e ndjej. Më ka ndodhur edhe mua. Normalisht nuk do i bëhej mirë kampionatit shqiptar, pasi Tirona është Tirona, është histori më vete. Respekt për të gjitha skuadrat, por Tirana, që nuk e lavdëroj se kam qenë me ta, e meriton. Kampionati shqiptar është ndryshe me Tiranën dhe pa Tiranën.
Keni disa vite që jeni larguar nga kampionati shqiptar, si e shikoni zhvillimin e tij gjatë kësaj periudhe?
-Kampionati shqiptar është rritur ndjeshëm nga koha kur ishim ne. Tani pothuajse çdo skuadër ka fushën e vet ku të luajë ndeshjet. Më përpara disa fusha nuk i përmbushnin kushtet dhe nivelin e duhur. Kampionati shqiptar ka një rritje. Janë 10 skuadra dhe ky sistem nuk të jep kohë të gabosh. Dua të them që niveli është rritur, duke parë edhe talentet që dalin vit pas vit dhe shiten jashtë vendit. Kjo është gjë pozitive. Normalisht që ka nevojë për punë nga ana e të gjithëve, por është në rrugën e duhur. Një kampionat i mirë këtu, është gjë e mirë edhe për kombëtaren. Kështu dalin edhe lojtarë më të mirë për kombëtaren.
Andi, si mund të kthehet Tirana te rruga e titullit?
-E kujtoj me nostalgji vitin 2009 kur u shpallëm kampion me Tiranën. Futbolli mund them se evoluon, është gjithmonë në përmirësim, por atë kohë e kujtoj me nostalgji. Ishim një ekip me lojtarë shumë të mirë, pothuajse tetë lojtarë ishim pjesë e kombëtares. Mund të them se që të shkojë Tirana në ato nivele, e para duhet të investojë shumë në akademinë e saj. Tirana nxjerr shumë talente, pasi është qyteti numër 1 dhe skuadra numër 1. Nuk duhet ta humbë kurrë ADN-në e saj, e ka në ADN grintën. Duhet investuar tek akademitë, t’u japë dorë të rinjve dhe pastaj të mendohet mirë në përzgjedhjen e lojtarëve. Në atë kohë ishte Tirana që merrte më të mirët, siç ka qenë Skënderbeu këto vitet e fundit. Por i mëshoj akademisë, gjaku bardheblu do vëmendje. Çdo ekip nga të rinjtë duhet të nisë. Jam partizan se gjaku i ri duhet të futet.
Ka ndryshuar edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka zënë vendin e Panuçit. Çfarë mund të na thoni?
– Çdo ndryshim është për të mirën e punës dhe mendoj se trajneri i ri që ka ardhur, me eksperiencën që ka do të bëjë shumë gjëra pozitive. Kam bindje absolute për këtë. Ai e ka treguar veten në disa skuadra ku ka qenë. Shpresoj të kthehemi aty ku ishim dhe ku duan të gjithë shqiptarët, të kthehet ai qejfi i madh që kishim në vitin 2016, 2015, në gjithë kualifikueset. E gjithë vëmendja ishte te kombëtarja dhe ishte diçka shumë e mirë. Dua që të rikthehemi sërish dhe Shqipëria të shkojë në një eveniment të madh botëror, pasi janë të gjitha mundësitë. Talente ka, futbollistë ka dhe ekziston mundësia që ne të jemi sërish aty ku ishim. Dua të përsëritet ai entuziazmi, pasi ishte diçka e paharrueshme. Në karrierën time ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur.