Vllaznia nesër përballet me Shënkollin në transfertë dhe si zakonisht trajneri Hasan Lika ka dalë para mediave dhe ka folur për ketë takim të radhës. tekniku kryeqytetas vlerëson kundërshtarin dhe tregon gjendjen e skuadrës dhe objektivin e vetëm, që është fitorja.
NDESHJA ME SHËNKOLLIN – “Kemi të bëjmë me një ndeshje të fortë. Edhe ekipi i Shënkollit kërkon të japë maksimumin në fushën e tyre, ashtu si çdo skuadër tjetër për të arritur objektivin që ka, në mënyrë që me mbarimin e fazës së dytë të jenë të pozicionuar në pesëshen e parë të renditjes dhe t’i largohet pjesës së fundit të klasifikimit”, shprehet Lika fillimisht.
Më tej ai shton: “Kështu që jemi të ndërgjegjshëm se na pret një ndeshje e fortë nesër në Shënkoll. Këtë kundërshtar deri diku e njohim, sepse kemi luajtur edhe një miqësore me të kohë më parë. Vërtetë Shënkolli mund të mos jetë ai i asaj miqësoreje, por edhe Vllaznia nuk është ajo e miqësores. Të dyja skuadrat janë rritur dhe shpresoj që të kemi një ndeshje të mirë nesër”.
GJENDJA E SKUADRËS – Sa i takon mungesave, një është e sigurt për ndeshjen me Shënkollin. “Për këtë takim Malota nuk do të jetë i gatshëm, ndërsa Gilmani është pothuajse i gatshëm. Ndoshta jo për 90 minuta të plota, por do jetë me skuadrën”, shtoi trajneri Lika.
OBJEKTIVI – “Ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe kështu do veprojmë edhe ndaj Shënkollit. Dhe nëse e realizojmë këtë ndeshje ashtu si herët e tjera, besoj se do ia dalim me sukses. Po përmirësohemi çdo ditë e më shumë dhe tashmë vëmendja është në aspektin tekniko- taktik, sepse për sa i përket luftës sportive, futbollistët nga ndeshja në ndeshje kanë ardhur duke e rritur atë”, tha Lika, i cili thekson se është i bindur që do e kalojnë me sukses edhe këtë përballje.
“Jam i bindur se do ta kalojmë me sukses edhe këtë takim. E rëndësishme është të krijojmë raste dhe të shënojmë dhe po ashtu të mos e lejojmë kundërshtarin të na rrezikojë. Ne punojmë në të dy drejtimet dhe nëse në njërin duket se jemi më pozitiv, në aspektin mbrojtës, mendojmë se duhet të përmirësohemi akoma edhe më shumë në atë sulmues”, përfundoi tekniku i Vllaznisë.