Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika ka folur për mediat para ndeshjes kundër Dinamos, një sfidë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Numri një i shkodranëve pranoi se kjo sfidë ka rëndësi të madhe, por nuk vendos fatet e sezonit. Në fjalën e tij, Lika tha:
SFIDA KUNDËR DINAMOS – “Kjo është ndeshja e dytë e fazës së tretë dhe ka akoma ndeshje të tjera për të luajtur, kështu që ne përgatitemi me seriozitet ashtu si gjithmonë për ta kaluar me sukses çdo kundërshtar që kemi përballë, nuk ka rëndësi nëse luajmë brenda apo jashtë fushës sonë. Vllaznia-Dinamo gjithmonë ka qenë ndeshje e bukur, ndeshje me gola, e luftuar. Kështu që ne jemi përgatitur si duhet për këtë ndeshje, sepse për ne mbetet sërish Dinamo, pavarësisht se në çfarë pozicionesh jemi”.
NDËRPRERJA E KAMPIONATIT – “Ishim në atmosferën e ndeshjeve, megjithatë kjo ndërprerja na shërbeu në një aspekt tjetër. Ndonjë nga lojtarët që kemi pasur të dëmtuar, ka pasur më shumë kohë në dispozicion për t’u rikuperuar. Likës dhe Hajdarit u ka shërbyer pozitivisht kjo periudhë”.
PËRBALLJET – “Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos mendojmë se do ta kemi të lehtë, sepse do kemi përballë një kundërshtar të fortë. Një kundërshtar i cili na ka vënë në vështirësi, sidomos në ndeshjen e dytë në Tiranë ku me vështirësi kemi fituar 1-0. Kemi të bëjmë me një skuadër e cila në fillimet e saj kishte problemet e organizimit, por tani është një skuadër që është forcuar, është plotësuar me futbollistë dhe ka zhvilluar një kampionat të mirë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.