Gjermania nuk do të drejtohet nga Hoakim Lëv në dy ndeshjet eliminatore të Euro 2020 kundër Bjellorusisë (8 qershor) dhe Estonisë (11 qershor). 59-vjeçari ka ndjerë disa shqetësime në zemër dhe është dërguar menjëherë në spital.
Gjendja e tij është normalizuar për fat të mirë, por ai nuk mund të ulet në pankinë në dy ndeshjet e radhës. “Ndihem mirë, por kam nevojë për pak pushim në ditët e ardhshme. Jam në kontakte të vazhdueshme me stafin teknik të kombëtares.”
Rreth situatës së krijuar foli edhe Oliver Bierhof, menaxheri i “Pancerave”. “Ajo që vlen është rikuperimi i Lëv dhe ai duhet të mendojë vetëm për t’u shëruar. Suorg dhe Këpke e njohin ekipin në perfeksion dhe ata komunikojnë gjatë gjithë kohës me trajnerin.”