Leonardo ngre krye: Milan-Lazio duhej pezulluar, Salvini të mendohet para se të flasë!

0

Milan-Lazio vazhdon të prodhojë polemika që duket se do të zgjatin pafundësisht, sepse nisën me çështjen Acerbi dhe festimin e papërshtatshëm nga Bakayoko e Kessie, ndërsa vazhduan brenda e jashtë San Siros në ndeshjen e kupës, pasi tifozë të Lazios përdorën kore raciste gjatë ndeshjes, përveçse bënë bujë gjestet fashiste në prag të sfidës.

Për këtë arsye, drejtori i përgjithshëm i zonës tekniko-sportive te Milani, Leonardo, ngre krye dhe në një intervistë për Gazzetta dello Sport sulmon ashpër arbitrin dhe federatën italiane, pasi sipas tij ndeshja me Lazion duhej ndalur.

Nuk po flas për humbjen, ajo ishte e merituar dhe Lazio fitoi në fushë. Dua të ndalem te ato që ndodhën jashtë fushe: Bakayoko e Kessie gabuan me fanellën e Acerbit poshtë tribunës së tifozëve të Milanit, ne ndërhymë për të zgjidhur çështjen dhe i gjobitëm lojtarët, por shmangëm deklaratat publike për të pasur një klimë sa më të qetë para ndeshjes së kupës, edhe pse pa dalë ende ndonjë vendim nga Gjykatësi Sportiv, presidenti i federatës kërkoi të dënoheshin lojtarët tanë, diçka e çuditshme, për të mos thënë e rëndë.

“Natyrisht, ishte e pritshme që ndeshja e kupës të shoqërohej me probleme, ndaj para ndeshjes kontaktuam me federatën, Ligën, drejtuesit e arbitrave dhe policinë. Edhe lojtarëve u kërkuam të tregoheshin sa më gjakftohtë e të përgjegjshëm. Duhej kujdes maksimal, për të ndalur që në fillim çdo lloj situate që mund të ngjallte dhunë, si manifestimi fashist në sheshin Loreto.

Më pas, ndodhi absurditeti gjatë ndeshjes. Kishte mijëra arsye pse duhej ndërprerë ndeshja. Me rregullat e reja, nuk duhej pritur as kori i dytë apo i treti, mjaftonte i pari për të ndalur lojën dhe për të paralajmëruar për ndërprerjen përfundimtare nëse nuk ndaleshin koret raciste. I dëgjuan të gjithë, u bënë edhe dy thirrje nga altoparlantët, vetëm arbitri Mazzoleni nuk e vuri ujin në zjarr, vazhdoi lojën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

“Ne na kishin garantuar që do ndërhynin në rast koresh raciste. Nuk ishte një situatë e papritur, Mazzoleni kishte përjetuar edhe rastin Koulibaly në Inter-Napoli. Nuk mund të ndalnim ndeshjen dhe të kërkonim pezullimin, sepse do ngjante si një alibi për rezultatin. Duhej të vendoste arbitri, por edhe ai nuk duhej lënë vetëm nga institucionet. Si Milan, kërkojmë respekt dhe drejtësi. Zëvendëskryeministri Salvini kritikoi sërish? Përdori fjalën turp vetëm për lojën e Milanit, por ajo fjalë duhej thënë për episode shumë më të rënda”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.