Nijaz Lena, mesfushori qendror që tanimë është pjesë e Strugës në Maqedoni, ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport” së fundmi. Ai ka folur për largimin nga Teuta drejt Gjeorgjisë, si dhe për rivalitetin në Superiore.
“Te Teuta kisha kontratë 2-vjeçare, por në dhjetor biseduam me drejtuesit dhe vendosëm për të ndërprerë bashkëpunimin. Nuk e dija rregulloren, që nuk mund të luaja në një ekip të tretë brenda një sezoni. Isha i detyruar të ikja në një kampionat që niste në janar”, është shprehur Lena, i cili për pak muaj u aktivizua në Gjeorgji.
Mesfushori ka një mesazh për klubet shqiptare: “Duhet ta kuptojnë drejtuesit e klubeve se nuk bëhet ekip pretendent duke bërë ekip çdo gjashtë muaj. Në Vlorë veç kësaj, edhe mënyra se si rrjedhin gjërat në aspektin financiar ndikon. Klubi paguan, por dy-tre muaj pushim, pastaj sërish pagesa. Ky Flamurtar shkon në kupat e Europës”.
Sa i takon ekipeve që mund ta fitojnë titullin, Lena shprehet se tre janë pretendentët. Nga kjo luftë ai përjashton Kukësin. “Janë tre skuadra për titull: Partizani, Skënderbeu dhe Flamurtari. Këta të fundit nëse rregullojnë problemet që kanë. Kukësi mund të shkojë në Europë, por si i katërti, ose duke fituar Kupën. Kanë bërë shumë ndryshime në ekip dhe në staf. Kanë edhe lojtarë të dëmtuar”.