Xhani De Biazi, ish-trajneri i kombëtares kuqezi, ka folur për “TorinoGranata.it”, duke komentuar ekipin e Torinos. Me këta të fundit, ai është aktivizuar si lojtar dhe më vonë në rolin e trajnerit. Klubi torinez po punon mirë, por konkurrenca këtë vit është shumë e fortë. De Biazi flet për Maxarrin dhe jep idenë e tij. Skema perfekte për Torinon është 3-4-2-1. Duhet besuar më shumë tëk Ljajiç, i cili është ai që mund të bëjë diferencën. Italo-shqiptari flet dhe për të ardhmen në rolin e komentatorit. Do e nisë me finalen e Superkupës së Europës, derbin madrilien midis Realit dhe Atletikos.
“Është herët për të gjykuar, sepse Torino ka zhvilluar vetëm miqësore dhe ekipi nuk është akoma në kondicionin e duhur. Ekipi ka punuar mirë, por ka ndryshuar skema e lojës. Maxarri pasi krijoi njohuritë e duhura për grupin sezonin e kaluar, ka kërkuar të përmirësojë aspektet që duhet të ndryshonin, për të rritur aspektin kualitativ të skuadrës. Torino duhet të rritet, nëse kërkon të arrijë në Europë. Konkurrenca është e madhe, sepse sipër Toros janë klube me buxhet të madh, por në futboll ‘kurrë mos thuaj kurrë’.
Maxarri luan me skemën 3-5-2, por kjo skemë kërkon anësorë shumë të fortë që bëjnë mirë fazën difensive, por që duhet të nisen para dhe të kenë dinamizëm dhe këmbë të mira. Lojtarët që kryejnë këtë rol duhet të kenë dhe kualitet kur arrijnë në zonën kundërshtare. Mendoj që roli i mesfushorit të krahut në këtë skemë është një rol i komplikuar dhe delikat. Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh lojtarë të tillë, pasi një lojtar i tillë duhet të ketë aftësinë e mbrojtësit, por edhe kualitetin e mesfushorit.
Duke llogaritur që Torino ka dy organizatorë të shkëlqyer si: Falke dhe Ljajiç, skema e duhur është 3-4-2-1 me Belotin në majë. Nëse besohet më shumë tek Ljajiç dhe i jepet përgjegjësia që të jetë ai lojtari që bën diferencën, sepse kualiteti nuk i mungon, besoj që shumë probleme të Torinos do të zgjidheshin. Është më e thjeshtë të kesh dy mesfushorë që kontrollojnë repartin dhe dinë të nisin aksionet, sesa 3 mesfushorë që janë të adaptuar për skemën 3-5-2. Mendoj që treshja Falke-Ljajiç-Beloti do të bëjnë gjëra të mëdha së bashku.”
Mbas leksioneve taktike, De Biazi flet dhe për të ardhmen e tij.
“Kam pasur shumë propozime për të trajnuar, por asnjë ofertë nuk më ka interesuar realisht. Për momentin do të nis punën si opinionit në ‘RAI’ dhe në mes të gushtit do të komentoj finalen e Superkupës së Europës midis Real Madrid dhe Atletiko Madrid.”