Franko Barezi ka qenë një nga futbollistët më të mirë që ka veshur fanellën e Milanit dhe të Italisë. Mbrojtësi ka fituar Kupën e Botës në 1982, tre Liga Kampionësh, gjashtë tituj kampion të Serie A, katër Superkupa, dy Superkupa të Europës dhe dy “International Cup”.
Një mbrojtës i kompletuar dhe shumë i sigurt në prapavijë, Barezi admirohet dhe sot nga tifozët e Milanit. 58-vjeçari është kthyer pas në kohë në një intervistë të tij, ku ka folur për kohët e arta të Milanit, si dhe sulmuesit më të fortë sot. Baresi pranoi se Mesi, Ronaldo dhe shumë të tjerë janë sulmues të kompletuar, por nëse ai do të luante ende futboll, do të ishte i aftë t’i ndalte:
“Sulmuesit sot janë të fortë dhe të shpejtë, si dhe mendojnë shumë shpejt. Por jam shumë i sigurt që disa do të trembeshin përballë meje. Te Milani, ne mbrojtësit ishim me shumë fat, pasi kishim një repart ofensiv shumë të talentuar dhe kundërshtarët mundoheshin të mbronin dhe jo të sulmonin. Gulit, Van Basten dhe Rajkard ishin të pabesueshëm, por dhe Maldini e Ançeloti, që për mua janë dy nga futbollistët më të mirë italianë në histori.
“Unë isha i talentuar dhe natyral, nuk jam përmirësuar nga stërvitja. Por me zhvillimin e futbollit, kuptova që pa stërvitje, je askush, këtë gjë po mundohem të transmetoj edhe te fëmijët e vegjël që veshin fanellën e Milanit, por detyra më e vështirë është t’iu rikujtoj atyre se sa e rëndësishme është kjo fanellë legjendare”,- përfundoi Barezi, që është në krye të akademisë së Milanit, që aktualisht ndodhet në Dubai në fazë përgatitore.