Shumë dritëhije për largimin e Eros Grezdës në kombëtare. Në fakt, që në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit lindnin dyshime. Largimi nga kombëtarja për arsye personale dukej i çuditshëm, pasi burime pranë kombëtares bëjnë me dije se gjakovari nuk ka pasur asnjë dëmtim.
Grezda ka pasur një bisedë me trajnerin Edi Reja, të cilit i ka thënë se nuk ndihet mirë dhe se dëshiron të largohet. Italiani nuk është bërë pengesë. Fundja, nëse një lojtar nuk është në gjendje të bëjë më të mirën, nuk ka pse të qëndrojë i grumbulluar.
Biseda me Rejën thuhet se ka qenë krejt normale dhe nuk është shoqëruar as me ndonjë vendim disiplinor. Ka dyshime që Grezda është larguar për shkak se stafi teknik nuk e ka parë si zgjedhje të parë për ndeshjen me Islandën, por askush nuk ka dashur që gjërat të zmadhohen.
Sigurisht gjërat do të duhet të sqarohen. Grezda ka qenë një nga lojtarët që më së shumti ka këmbëngulur të veshë fanellën kuqezi dhe normalisht nuk duan ta humbasin si lojtar. Sezoni te Rejnxhërs nuk ka ndikuar për mirë te lojtari, i cili ndoshta këtë periudhë mund ta përdorë për të reflektuar. Fusha i mungon shumë, por pa qetësinë e duhur gjërat do të bëheshin edhe më të vështira.