Vazhdojnë problemet e Hames Rodrigez me Agjencinë Tatimore të shtetit spanjoll, por siç citon “El Mundo”, kolumbianit të Bajernit do i duhet të paguajë një shumë më të vogël, se sa ishte parashikuar.
Agjencia Tatimore e vendit iberik i kishte kërkuar lojtarit të paguante 11.6 milionë euro, por tashmë do i duhet të paguajë vetëm 4 milionë euro. Thesari konsideroi në fillim sjelljen e Rodrigez si një mashtrim fiskal, por ai ka arritur të shmangë rastin duke përdorur mjete administrative.
Mosmarrëveshja nisi në vitin 2014, kur 27-vjeçari u transferua nga Monako për te Reali i Madridit. Agjencia konsideroi që Hames kishte transferuar aktivitetin e tij ekonomik në Spanjë, kështu që ai duhet të paguante për tre milionë eurot që kishte fituar atë vit me Monakon.
Pavarësisht si gjysmën e parë të atij viti, ai jetonte në Montekarlo, Agjencia e konsideroi atë si një rezident në Spanjë. Në fillim Hames duhet të paguante 6.35 milionë euro, që duke llogaritur dhe përqindjet e interesit dhe gjobën, shuma shkonte në shifrën e 11.65 milionë eurove. Me ndryshimin e kritereve të saj, Agjencia Tatimore e konsideron shumë e mashtruar 3.6 milionë euro dhe duke përfshirë dhe 400 mijë euro interesa, atëherë, shuma totale shkon në 4 milionë euro.
Lojtari duhet të përgjigjet dhe për 12 milionë eurot, që mori për shitjen e të drejtave të imazhit te menaxheri i famshëm, Horge Mendesh. Pavarësisht zvogëlimit të shumës së kërkuar, lojtari duhet të dalë në gjyq për të argumentuar se deklarata e tij tatimore e vitit 2014, ishte në rregull që nga fillimi.