Kukësi është mjaft larg vendit të parë, megjithatë verilindorët besojnë shumë se diferenca prej 10 pikësh me skuadrën e Partizanit mund të rikuperohet. Skuadra ka vijuar prej ditësh stërvitjen në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmëz, me stafin teknik që i ka dhënë ngarkesë të lartë ekipit në këtë pauzë të kampionati.
Lajmi i mirë për Kukësin është fakti se ky moment pushimi u ka dhënë mundësinë disa lojtarëve që të fitonin gjendjen e tyre fizike. Me skuadrën sot është bashkuar dhe sulmuesi Rexhinaldo, i cili ka qenë i grumbulluar me skuadrën e tij përfaqësuese. Autori i gjashtë golave këtë edicion arriti që ta ndihmonte Mozambikun, duke shënuar ndaj Zambias golin e vetëm të ndeshjes.
28-vjeçari e gjeti rrugën e rrjetës dhe në takimin e fundit me Teutën dhe te Kukësi shpresat më të mëdha për shënim janë te ai. Skuadra e Cungut do të ndeshet me Kamzën këtë të diel në orën 14:00 dhe fakti që sulmuesi është bashkuar 4 ditë para ndeshjes me ekipin i krijon komoditetin që të rikuperojë energjitë dhe të jetë ti gatshëm për sfidën e radhës.